
Leonard Boduri – Nëse Shqipëria pas një kalvari 23-vjeçar do të kishte
më në fund një qeveri po aq të mirë sa njerëzit që ka si brenda dhe
jashtë saj, për të gjithë ne do të ishte një sukses i madh.
Shqiptarët janë një popull i keqtrajtuar sistematikisht nga lidershipi politik në të gjitha fushat e mundshme të administrimit publik. Keqtrajtimi nuk nënkupton detyrimisht t’u hysh me hu njerëzve në mes të mexhlisit, por presioni i pushtetit ka qenë prezent vazhdimisht sidomos në planin psikologjik. Dhuna ndaj qytetarëve, financiare ose jo, është provuar në dogana, në hipoteka, në tatime, në procedurat e stërzgjatura të nxjerrjes së lejeve dhe licencave, si dhe në një mori problemesh burokratike sa herë duhej të “plotësonim” standardet europiane. Lloji më ekzemplar i kësaj dhune ka qenë ai i ushtruar mbi punonjësit publikë, qendrorë dhe lokalë, për mbajtjen e vendit të punës. Frika dhe presioni i vazhdueshëm për humbjen e vendit të punës në administratë është një nga streset më të mëdha që përjetojnë punonjësit shtetërorë. Ky element është përdorur nga politika për të vënë skllavëruar dhe vënë qytetarët kundër njëri-tjetrit si në nivelin qendror të administratës shtetërore ashtu edhe në nivel lokal. Shfaqja më e shëmtuar e kësaj skllavërie moderne është gara e mitingjeve me autobusët elektoralë tumbllaz me mitingashë nga halli. Nga ana tjetër në një formë jozyrtare u krijua edhe një bursë nëntokësore e pazareve të “kapjes” apo të “mbajtjes” së vendeve të punës. Administrata e udhëhequr nga zyrat e selisë blu nuk kishte skrupuj në këtë pikë dhe i ruhej sa mundej inflacionit të monedhës vendase, duke i vënë çmimet e “gjobave” kryesisht në monedhën europiane.
Në këtë pikëpamje nuk duhet të duket aspak e pazakontë shtyrja e hyrjes në fuqi të ligjit për Nëpunësin Civil me anë të aktit normativ të qeverisë, i cili pritet të miratohet nga mazhoranca në Parlament. Sipas opozitës në këtë mënyrë po përgatitet spastrimi i administratës me qëllim futjen e militantëve të majtë në vendet e punës, pa përdorur kriterin e meritokracisë dhe duke shkelur me të dyja këmbët konsensusin që mezi u arrit para zgjedhjeve. Opozita në këtë rast duhet përgëzuar për reagimin e saj të fortë, si dhe për hapjen e portalit në faqen e saj zyrtare “Denonco largimin nga administrata”. Nuk po i hyjmë këtu diskutimit nëse duhet të kishte një kriter mbi pranimin e denoncimeve që mund të kenë ardhur në portalin e PD-së nga anëtarët e LSI-së që i kapi operacioni “fshesa” pas marrëveshjes së famshme të 1 prillit, apo mbi denoncimet e të larguarve brenda llojit, të cilët e provuan në kurriz fshesën e partisë-mëmë meqë mbështetën Olldashin në zgjedhjet për kryetarin e PD-së. Pa dyshim nisma e Partisë Demokratike për të mbrojtur administratën shtetërore nga largimet e motivuara politikisht duhet përshëndetur, pavarësisht se kjo forcë politike nuk ka treguar as minimumin e përgjegjësisë për batërdinë që ka bërë në administratë gjatë qeverisjes së saj.
Opozita ka plotësisht të drejtë të kundërshtojë aktin normativ, pasi në këtë mënyrë ajo po kërkon të mbrojë edhe një pjesë të mirë të militantëve të saj. Gjithashtu do të ishte e pamoralshme nga ana e saj që pasi disa të punësuarve “me meritë” mund t’u kesh marrë 3 mijë apo 5 mijë euro për një vend pune dhe të mos marrësh mundimin të paktën të bësh disa deklarata të forta, apo të hapësh ndonjë procedurë ligjore që është e dështuar që në fillesë. Kjo opozitë ka një nevojë urgjente për reformim në të gjitha nivelet e saj, si dhe për një ndryshim të thellë në mendësinë e saj. Mirëpo nuk kemi për qëllim që të vëmë kujën për gjendjen e opozitës, por për t’i qarë hallin atyre nëpunësve publikë që mund t’i kapë fshesa e radhës. Më të rrezikuarit janë atë individë, të cilët edhe pse me aftësi profesionale të mira janë detyruar të paguajnë nën dorë për të siguruar një vend pune në administratë. Rilindja premtoi konkurse dhe meritokraci, por të gjitha lëvizjet e deritanishme në nivele drejtuese kanë qenë të orientuara politikisht. A do të vijojë në të njëjtën formë “reforma” në administratë apo kjo valë do të konsiderohet “e detyrueshme” për shkak të rëndësisë që kanë për rritjen e performancës së qeverisjes këto pozicione pune? A mos ndoshta do të ishte më e pranueshme të vendoseshin disa rregulla loje të qarta ku të përcaktohej vendimmarrja politike për disa pozicione pune të larta dhe me përgjegjësi të veçantë në hierarkinë shtetërore? Realisht nuk mund të na hajë meraku për zëvendësimet e disa titullarëve të drejtorive VIP, por ajo që duhet të na shqetësojë do të ishte një fshesë e mundshme në nivelet e dyta të administratës, apo në nivelet më të ulëta të hierarkisë shtetërore.
Kjo qasje e pushtetit ndaj administratës e tipit: “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, mund t’i ngjajë një historie pa mbarim. Miti i Sizifit për të vendosur gurin final në rregullat e lojës për punësimin në administratën shtetërore, mund të bëhet “emblema zyrtare” e administrimit publik në vendin tonë. Natyrisht do të tregonim një miopi të tejskajshme nëse do të linim jashtë vëmendjes dhe diskutimit përfshirjen në këtë problematikë procedurat e punësimit të administratës në nivel lokal. Vetëm në këtë mënyrë palët e përlyera në këtë mishmash administrativ do të mund të binin në një ujdi afatgjatë. Shumica e qytetarëve shfaqin pesimizëm për arritjen e një standardi të tillë, por askush prej tyre nuk të kundërshtonte hapjen e një konkursi mbarëkombëtar fillimisht për mbajtjen dhe përputhshmërinë e pozicioneve të punës me profesionalizmin e nëpunësve dhe më pas për plotësimin e vendeve që do të mbeten të lira me transparencë të plotë. Është e nevojshme që pozicionit të punës t’i gjejmë personin dhe jo personit t’i gjejmë vendin e punës. Një vëmendje e veçantë mund t’i kushtohet edhe numrit alarmant të njësive vendore dhe kostove për administrimin e tyre. Nëse nuk do të mund të arrihet me konsensus një marrëveshje afatgjatë për vendosjen e një administrate sipas kritereve të meritokracisë, përfundimisht mund të jemi të destinuar që të na marrë lumi njëherë e mirë…
Top Channel