
Spektakli më i dashur i humorit për ekranet shqiptare e pa diskutim edhe më i suksseshmi i këtij formati feston 10-vjetorin në këtë sezon të ri.
Dhjetëra njerëz punojnë para e pas kamerave për të sjellë këtë produksion gjigant cdo të dielë në mbrëmje në Top Channel, të cilët që nga data 13 tetor do të risjellin një sezon të rifreskuar ku nuk do të mungojnë të qeshurat.
Regjisori Altin Basha dhe kostumografja Ilirjana Basha ndajnë me publikun rrugëtimin prej një dekade, duke kujtuar edhe vështirësitë me të cilat janë përballur për të sjellë këtë punë voluminoze për çdo fundjavë në ekran.
“Brenda këtyre 10 vjetëve janë pafund ide, energji e harxhuar, histori personale dhe publike që lidhen me skenarët, figurat që lidhet me skenografine dhe imazhet e Portokallisë. Probleme pafund me regjinë, shqetësime të përditshme, por që përmblidhen brenda një logjike që është ajo e dëshirës së madhe për t’iu ofruar shqiptarëve një të dielë argëtuese dhe të këndshme”, deklaron regjisori Altin Basha.
“Ka qenë e vështirë, sidomos fillimi derisa është mësuar ta quaj teknika e punës. Gjithcka ishte shumë e shpejtë. Unë isha mësuar me kostumet e teatrit që për një shfaqje ke kohë 1 muaj e gjysmë. Këtu është gjithcka brenda 3-4 ditëve”, thotë kostumografja Ilirjana Basha.
Në 10 vite rrugëtim artistët kujtojnë me nostalgji se si ka qenë hera e parë për ta dhe se si falë këtij programi janë rritur profesionalisht në skenë. Jo pak prej tyre ky spektakel i ka pagëzuar edhe me emrat e personazheve më të cilët shumëkush nga publiku i etiketon.
“10 vite kanë ikur shumë shpejt, mua me duken si 3-4 vjet. Kam ardhur këtu 18 vjeç, pa mjekër, me shumë flokë, sot jam pa flokë me shumë mjekër. Jam rritur këtu, kam mësuar shumë gjëra, kam njohur shumë njerëz dhe nuk ma priste mendja që do arrija deri këtu”, thotë Flori, i njohur gjerësisht për personazhin e tij të “Policit”.
Por pas gjithë humorit që artistët sjellin në ekran, qendrojnë 2 skenaristët e palodhur Jani Duro e Vangjel Kozma.
“Ne skenaristët nuk mjaftojmë sepse e gjithë trupa krijon, ndryshe nga fillimi kur pothuajse pjesën më të madhe të teksteve e bënim ne, tani janë vetë aktorët që krijojnë dhe pasurojnë tekstet me batuta. Është një punë në grup. Portokallia nga viti në vit freskohet, pasurohet”, thotë skenaristi, Jani Duro.
“Mua me Janin na ka rënë horoskopi më i keq i mundshëm. Ne çdo ditë fillojmë një punë të re që s’e kemi bërë kurrë më parë dhe ky është një mundim i madh por edhe një kënaqësi e madhe. Kënaqësia më e madhe është që ne jemi po këta që ishim, shumë më të mirë, shumë më të pjekur dhe pas 10 vjetësh”, shton Vangjel Kozma, skenaristi tjetër i Portokalli.
Fatmir Minga, prej 10 vitesh është bërë pjesë e pandarë e këtij formati, firmën e të cilit mban çdo skenë e “Portokalli’.
“Top Channel ka bërë një megainvestim këtë radhë për Portokalline, që të shfaqë maksimalisht idetë që ka. Kjo është një skenografi e re, por e bazuar në filozofinë dhe idenë që kemi patur, por e pasuruar në një mjedis urban. Para disa vitesh nuk ka patur punime kaq maksimalisht të kuruara. Punoj ngushtë me Altin Bashën dhe në këtë rast dua ta përshëndes për këtë 10-vjetor, se u bënë 10 vjet që punojmë bashkë”, thotë skenografi Fatmir Minga.
Ky spektakël humori pasurohet për çdo të diel edhe me numra të zgjedhur nga çifti i balerinëve Ezdalin Gorani e Manjola Hasani.
“Është një rrugëtim i gjatë, i lodhshëm por shumë i suksesshëm. Ka qenë një karrierë e gjatë që çdokush do ta dëshironte. 10 vjet për ne në Portokalli kanë qenë edhe një shkollë sepse e kemi nisur në një moshë shumë të vogël. Ka qenë një rrugë e gjatë, ku në Portokalli kemi bërë gjithçka ca mund të bëhet në balet”, thonë balerinët e Portokalli.
Portokalli do të nisë këtë sezon të 10-te, të dielën në mbrëmje për të sjellë për publikun një tjetër buqetë të qeshurash, vetëm në ekranin e Top Channel.
Top Channel