Të gjithë për Januzajn

08/10/2013 00:00

Dy golat e mrekullueshëm të shënuar ndaj Sandërlendit në ndeshjen e kësaj jave në Premier Ligën angleze, “zyrtarizuan” talentin e pakundërshtueshëm të Adnan Januzajt dhe vec të tjerash e vendosën atë në qendër të një debati mediatik se për kë kombëtare duhet të luajë ai.

Debati, që deri para sfidës ndaj Sandërlendit ishte i vendosur kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Belgjikë, u përhap edhe në Angli ku mediat sportive dhe josportive, trajnerë, ish-futbollistë dhe futbolldashës u ndanë në dy kampe, pro dhe kundër thirrjes së Januzajt në kombëtaren angleze.

Për shkak të ligjeve vendase, Januzaj s’mund të luajë për “Tre Luanët” të paktën për 5 vjet, aq sa i duhet të jetojë si madhor në vendin ishullor. Megjithatë, i pari që ka lëshuar sinjalin për shqyrtimin e mundësisë së dhënies së kësaj të drejte për shqiptarin nga Kosova, është vetë trajneri Hodgson.

Hodgson deklaroi të hënën se ishte dakort me hapjen e debatit për këtë temë dhe duke vlerësuar talentin e shqiptarit, tha se ftesa nga ana e tij nuk do t’i mungojë.

Së fundmi, nga Belgjika mbërrin lajmi se Adnani ka refuzuar kombëtaren e këtij vendi. Vetë trajneri i kombëtares belge ka konfirmuar këtë duke thënë se respekton vendimin e lojtarit.

Vetë futbollisti nuk ka vendosur asgjë dhe për aq kohë sa do të vazhdojë pavendosmëria e tij, aq do të zgjasë edhe debati dhe ftesat për fanelë kundrejt tij. Debat ka shkuar edhe përtej Atlantikut, ku CNN në një analizë shkruan se Januzaj ka oferta nga Shqipëria, Belgjika, Anglia, Kosova (që duhet të njihet nga FIFA), Turqia madje edhe nga Serbia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA