Katar 2022, 44 të vdekur në punime

08/10/2013 00:00

Ambasada e Nepalit në Katar ka bërë të ditur se nga fillimi i vitit janë
regjistruar 44 të vdekur në radhët e punëtorëve nepalezë, në kuadër të
punimeve për Botërorin 2022.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja britanike “The Guardian”, sipas të cilës shkak për tragjeditë janë bërë kushtet çnjerëzore në të cilat punohet.

Ambasada nepaleze ka denoncuar se, “nëse autoritetet e Dohas nuk do të marrin masa të menjëhershme, atëherë deri në vitin 2022 mund të regjistrohen 4 mijë të vdekur”.

Gazeta britanike e vë theksin tek trajtimi diskriminues që bëhet ndaj punëtorëve të huaj, pa orar pune, pa rrogë dhe pa asistencë shëndetësore.

Krahu i punës në Katar, që përbëhet kryesisht nga nepalezët, duhet të ndërtojë të gjitha infrastrukturat që do të mirëpresin Botërorin, mes të cilave nëntë stadiume, një aeroport, një linjë hekurudhore, 200 km rrugë dhe një urë lidhjeje mes Katarit dhe Bahreinit.

Ndërkohë, një problem tjetër sipas “The Guardian” janë temperaturat e larta në Doha në periudhën verore, mesatarisht 45 gradë. Në ditët e fundit presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka deklaruar se me një mot të tillë luajtja e kampionatit në Katar në sezonin e verës është e pamundur.

Një zgjidhje e mundshme duket ajo e luajtjes së ndeshjeve në dimër, por FIFA ka shtyrë çdo vendim për pas Botërorit 2014 që do të zhvillohet në Brazil.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA