F1, Ross Brawn mund të largohet nga Mercedes

08/10/2013 03:20

Ross Brawn mund të largohet nga Mercedes në fund të sezonit. Lajmi, i publikuar nga “Bild”, është mohuar menjëherë nga Niki Lauda.

“Nuk e di nga vijnë këto njoftime. Jemi ende në tratativa”. Ish-drejtuesi i Ferrari-t mund t’i lërë vendin Paddy Lowe në krye të drejtimit teknik të skuderisë.

Në bokset e Mercedes flitet për një përpjekje të Honda-s për ta rimarrë, teksa parashikohet që kolosi japonez të rikthehet si furnizues motorrësh për McLaren, që nga sezoni 2015.

Megjithatë, lajmi duket se gjen konfirmim në fjalët e Martin Whitmarsh, drejtor i administrimit sportiv të McLaren-it, që gjatë ditëve të kaluara në Kore kishte shpallur një fushatë blerjesh nga shtëpia e “Woking”-ut, pas “peshkimeve” të shumta të teknikëve nga “Maranello”.

Ross Brawn mund të kalojë te Honda ose të merret me përgatitjen teknike të strukturës japoneze, për të përballuar kufijtë e rinj teknologjik të motorrit turbo. Pronarët e firmës nga lindja e largët kanë projekte madhore për rikthimin në Formula 1.

Në këto zhvillime, McLaren ende nuk ka hequr dorë nga rimarrja e Fernando Alonso-s nga Ferrari, por projekti për të rikthyer spanjollin në “Woking”, aq ambicioz sa dhe i parealizueshëm, duket sot shumë pak praktik.

Në karrierën e tij, Ross Brawn ka punuar për Williams, Arrows, Benetton, Ferrari, Honda dhe Mercedes. Ai ka qenë heroi i cikleve të mëdha të fitoreve të Michael Schumacher në Formula 1 (1994-1995, 2000-2004) dhe ka fituar një titull botëror me skuadrën e tij, Brawn GP, gjatë sezonit 2009.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA