Me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Kostandinit, sipas të cilit Perandori Kostandin i dha fund përfundimisht persekutimeve fetare, vjen në Tiranë, pas një rrugëtimi në Prishtinë dhe Shkodër, një ekspozitë e hartografisë së vjetër.
Ekspozita e vendosur në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike, sjell për publikun një botëkuptim më të plotë të kufijve dhe mënyrës së jetesës në Europën mesjetare. Ajo ndahet në tre seksione, ku i pari i kushtohet figurës së Kostandinit dhe Ediktit të tij, i dyti lidhet me zhvillimin e artit paleokristian pas shpalljes së këtij edikti dhe i treti analizon përhapjen e mesazhit fetar përmes kartografisë.
Shumica e hartave janë pjesë e koleksionit të profesorit italian Gianni Grandozzi dhe shoqatës kulturore “Europa e Re”.
“Këtu kemi një hartë udhëtimi të Perandorisë Romake të shekullit të katërt pas Krishtit, rreth viteve 300 të erës sonë. Ky dokument i jashtëzakonshëm na tregon vendet e interesit të prekura nga rrugët romake, të cilat ishin rreth 3 mijë të tilla që i përkisnin Perandorisë Romake. Këtu është edhe pjesa dedikuar Shqipërisë, ku mund të shihen Durazo, Skutari, emra të vjetër latinë të Durrësit dhe Shkodrës”, shpjegon profesor Grandozzi.
Harta e cila është një ndër më të vjetrat e printuara pas lindjes së shtypit në vitet 500, është interesante edhe në studimin e largësive. Z.Grandozzi pohon se sipas një studimi të kohëve të fundit, i cili na mëson si të masim këto distanca, është kuptuar se përllogaritja e tyre ka qenë shumë e saktë: “Një gjë interesante është edhe kjo hartë e Ilirisë e cila i përket viteve 1600 të erës sonë. Ajo tregon vendet e përkushtimit Marian në të gjitha shtetet e Botës. Iliria e cila përfshinte edhe Shqipërinë i përkushtohej Madonës së Kostandinopojës.”
Një tjetër hartë e rëndësishme alegorike është ajo e Europës Mbretëreshë të Buntingut e cila është krijuar në Mesjetë dhe printuar në vitet 500, kur lindi shtypi. Aty shihet Europa në formën e një monarkie katolike, e përfaqësuar nga kurora e Spanjës, e cila me anë të një rrjeti martesash mbretërore mbante të lidhura monarkitë katolike të Europës.
Top Channel