PSG mposht Marsejën

07/10/2013 00:00

Paris Sen Zhërmen ka fituar një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, pasi rikuperoi disavantazhin në një stadium si ai i Marsejës, për të triumfuar 2-1 ndaj rivalëve.

Kryeqytetasit e mbyllën ndeshjen në “Velodrom” me 10 futbollistë, por ia dolën të marrin 3 pikë të vyera në garën për titullin kampion në Francë.

Goli në minutën e 11 nga Ajeu me penallti i dha avantazhin marsejezëve, duke sjellë dhe kartonin e kuq për Tiago Silvën, por PSG përmbysi gjithcka me golat e Maksuell dhe Zlatan Ibrahimovic.

“Dëshira e madhe që treguan lojtarët në fushë, ishte elementi kryesor që na bëri të fitojmë sepse, pa të nuk do të mund të mposhtnim Marsejën. Për këto lloj ndeshjesh duhen lojtarë cilësorë, por që të kenë dhe përgatitjen e duhur psikologjike”, tha trajneri i Paris Sen Zhërmenit, Loran Blank.

“Ne besuam deri në fund edhe pse u penalizuam me një penallti dhe karton të kuq. Në pjesën e parë arritëm të barazojmë por nuk u kënaqëm dhe ia dolëm që të shënojmë sërish, gol që na dha fitoren”, tha Loran Blank.

Paris Sen Zhërmeni është në vendin e parë me pikë të barabarta me Monakon, ndërsa sfidën e radhës do ta luajë në shtëpi ndaj Bastias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA