
“Duke parë se KLD ende i referohet për vlerësim performancës së gjyqtarëve në vitet 2005-2006, unë do të kërkoj që të bëhet një vlerësim i përvitshëm i gjyqtarëve dhe të mos promovohen në karrierë pa iu referuar performancës së tyre më të fundit”.
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i është përgjigjur në këtë mënyrë deklaratave të presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe nënkryetarit të KLD-së Elvis Çefa, të cilët vlerësonin KLD-në si një organizëm që ka rritur standardet.
Debati publik për nevojën e reformimit edhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nisi pas deklaratave të ministrit për marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, i cili gjatë një interviste për Top Channel nënvizoi se KLD nuk është më një institucion që gëzon kredibilitet si qeveri e gjyqësorit edhe brenda komunitetit të gjyqtarëve.
Sipas Celibashit, një nga pikat që duhet të rishikohet ka të bëjë me zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. Nevoja e reformës në drejtësi dhe brenda vetë KLD-së duket se është kthyer në një imperativ, pasi gjyqësori shqiptar çdo vit shihet jo vetëm në perceptimin e publikut si një nga fushat me nivelin më të lartë të korrupsionit, ndërkohë që në të shkuarën nuk kanë munguar edhe akuzat për varësi të tij nga politika.
Nga ana e tij ministri i Drejtësisë, Naço, gjatë takimit me ambasadorin spanjoll Rafael Perez shprehu rezerva edhe për Gjykatën e Lartë. Naço iu shfaq i shqetësuar ambasadorit spanjoll për shifrat e larta të çështjeve që paraqiten në këtë gjykatë për çdo vit dhe numrin e vogël të atyre të shqyrtuara apo vendimeve të unifikuara.
Top Channel