Teuta e Skënderbeu, të pandashëm në krye

06/10/2013 20:00

Teuta dhe Skënderbeu kanë ruajtuar pozitat e tyre në krye të klasifikimit të Superiores me 15 pikë.

Durrsakët e drejtuar nga Magani përmbysën rezultatin dhe mposhtën 3-2 Vllazninë, e cila pëson humbjen e dytë radhazi në kampionat.

Protagonist i fitores së Teutës ishte Mancaku, i cili i dha gjallëri skuadrës bregdetare, në kohën kur po mundej 1-2, dhe asistoi në 2 golat e përmbysjes së Teutës, që u shënuan nga Nika dhe Daniel Xhafa.

Ndërkohë, kampionët e Skënderbeut kanë vuajtur shumë, por në fund kanë marrë 3 pikë, pas fitores 2-1 ndaj Laçit në Korçë.

2 gola në pjesën e parë dhanë idenë se ekipi i Josës do ta synonte thellimin e rezultatit, por në fillimin e së dytës goli i Vucajt për Laçin rihapi ndeshjen. 17 minuta nga fundi, Lilaj u ndëshkua me të kuq, duke lënë Skënderbeun me 10 lojtarë.

Epërsia numerike i dha mundësinë skuadrës së Laçit të dominojë në minutat e mbetura, por Shehi nuk lejoi kurbinasit të shënonin golin e dytë.

Derbi kryeqytetas Partizani -Tirana, që do të luhet më 12 tetor në “Qemal Stafa”, do të mbyllë dhe javën e 7 të Kategorisë Superiore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA