Ylli 18-vjeçar i Manchester United, shqiptari Adnan Januzaj, kërkohet të luajë me kombëtaren e Anglisë, njofton BBC.
Është trajneri i kampionëve të Anglisë, David Moyes, që konfirmon se Januzaj kërkohet nga kombëtarja angleze.
I lindur në Belgjikë, Januzaj luan me kampionët e Anglisë të United, që nga viti 2011. Dy golat e tij, të shtunën ndaj Sunderland-it, i dhanë fitoren Manchester-it, me një lojë që detyroi komentatorët anglezë ta cilësojnë atë si “e ardhmja” e Manchester United.
Këto komente u bënë gjatë ndeshjes, por edhe në progarmin më të njohusr sportiv në Britani, “Match of the Day”, ku u diskutua sërish ideja e shtetësisë angleze për Adnan Januzajn.
I pyetur, nëse Federata Angleze e Futbollit (FA), ka shprehur interes për Adnan Januzajn, përgjigja e trajnerit Moyes ishte: “Po, ai ka mundësi të luajë për kombëtaren angleze, përmes kriterit të banimit”, deklaroi tekniku i Manchester United.
“Një talent të vërtet”, e cilësoi 18-vjeçarin shqiptar Januzaj tekniku i Manchester-it, klubi i të cilit është në bisedime për një kontratë afatgjatë për shqiptarin, i cili do të duhet të vendosë për të luajtur me Belgjikën, Shqipërinë apo Anglinë.
E nëse vendos për të luajtur me kombëtaren angleze të futbollit, ai do të jetë lojtari i parë me origjinë shqiptare, që luan për Anglinë.
Top Channel