Superliga, spektakël Bylis-Kukës

05/10/2013 00:00

Janë zhvilluar tre ndeshjet e para të kësaj jave të shtatë të Superligës shqiptare, ku takimi për t’u veçuar ishte barazimi mes Bylisit dhe Kukësit, 1-1.

Një ndeshje shumë e bukur u zhvillua në Ballsh, ku loja e hapur e të dyja skuadrave prodhoi një 90-minutësh luftarak dhe me raste për shënim. Por ishte fundi ai që dhuroi edhe emocionet më të forta të kësaj ndeshjeje. Dy gola, nga një në secilën portë.

Filimisht, në ‘91 realizoi me kokë serbi Popoviç, për kuksianët, ndërkohë që reagimi vendas ishte i menjëhershëm. Brenda 60 sekondash Izuçuku bëri të pabesueshmen, duke shënuar në portën e Halilajt dhe rikthyer në fuqi ekuilibrin rezultativ.

Ndërkohë, Besa mori fitoren e parë në këtë sezon të Superligës dhe këtë gjë e arriti përballë Flamurtarit. 2-0 fituan kavajasit në fushën e tyre, edhe pse këto tre pikë nuk i ndihmojnë të shkëputen nga fundi i klasifikimit.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në këtë ndeshje me portierin vlonjat, që pas një përplasjeje me sulmuesin Sefa humbi ndjenjat dhe u transportua për në spital. Për fat të mirë, pas kontrollit mjekësor gjithçka shkoi mirë dhe Moçka iu bashkua skuadrës në fund për të udhëtuar drejt Vlorës.

Pas shtatë javëve kampionat, skuadra e Mërgjyshit ka vetëm katër pikë dhe ndodhet në vendin e fundit. Ndërkohë, ndeshja tjetër e së shtunës, ajo mes Kastriotit dhe Lushnjes u mbyll me fitoren e krutanëve me rezultatin 2-0.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA