
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar ”Statistikat e Tregtisë së Jashtme” për muajin gusht 2013. Të dhënat tregojnë për një defiçit tregtar më të ulët për muajin gusht 2013, prej 205 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 219 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Eksporti mbulon importin vetëm me 10%. Ndërkohë që vihet re se përqindja më e madhe e eksportit ishte me Shqipërinë rreth 16%, me Italinë 15%, Indinë 11%, Maqedoninë 10%, Serbinë 7% dhe Malin e Zi 6%.
Ndërsa përsa i përket importit, në krye renditet Serbia me 12%, Italia me rreth 10%, Gjermania 9%, Maqedonia 8%, Turqia 6% dhe Kina 6%.
Në shifra të përgjithshme eksporti në muajin gusht 2013 kapi vlerën 23 milionë euro, ndërsa importi 228 milionë euro. Kjo tregon një rritje prej 11% për eksport, si dhe një rënie prej 5% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012, njofton ASK.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15% produktet minerale; rreth 9% produktet bimore; 8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5% tekstili dhe artikujt e tij, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 24% të importit e përbëjnë produktet minerale; 15% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6% produktet e industrisë kimike, etj.
Partnerët kryesorë tregtarë sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me totalin e muajit, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 40% për eksport dhe 42% për import. Ndërsa vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 41% për eksport dhe 32% për import.
Top Channel