Task Force për datën e Botërorit 2022

04/10/2013 00:00

FIFA vendosi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për të shqyrtuar mundësinë e luajtjes së ndeshjeve të Botërorit 2022 në Katar në një periudhë tjetër, jo në verë kur temperaturat në vendin e vogël të Gjirit Persik shkojnë deri në 50 gradë celcius.

Grupi i punës pas shqyrtimit të infrastrukturës dhe dëgjimit të alternativave nga federatat kombëtare të futbollit pritet të propozojë një periudhë tjetër të luajtjes së botërorit duke shmangur muajt qershor, korrik dhe gusht në Katar.

Propozimet mund të mbërrijnë për cështje muajsh në tryezën e Komitetit Ekzekutiv të qeverisë së futbollit, por asnjë vendim nuk do të merret para përfundimit të Botërorit 2014 në Brazil.

I pyetur nga gazetarit mbi abuzimet me punonjësit nga ana e Katarit për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për kampionatin botëror të futbollit, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter tha se institucioni i që ai drejtonte nuk mund të përzihet për të drejtat e punonjësve në asnjë vend të botës, por shtoi se “as mund t’i injoronte ato”.

Pak ditë më parë gazeta britanike “The Guardian” publikoi një artikull të një hetimi disa-mujor të saj ku tregohej abuzimi me punonjësit e huaj, kryesisht nepalezë në vend. Sipas kësaj gazete, vetëm në gusht dhe korrik të këtij viti, si pasojë e kushteve të këqia të punës kanë gjetur vdekjen të paktën 44 punonjës.

“Nëse vazhdohet me këto ritme abuzimi ndaj punonjësve të huaj, botërori 2022 do të ndërtohet mbi trupin e 4 mijë emigrantëve të vdekur”, shkruante “The Guardian”.

Ndërkohë, kreu i Komiteti Organizativ të Katarit, i ngarkuar për mbarëvajtjen e punës për përgatitjen e botërorit, Hassan Al Thauadi tha se kanë nisur hetimet për rastet e publikuara në “The  Guardian”.

“S’mund të ndërtohet një Kupë Bote mbi gjakun e të pafajshëmve. Kjo është e papranueshme dhe ne po merremi me këtë cështje”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA