Lidhja Demokratike e Kosovës synon që, për të tretën herë radhazi, të fitojë elektoratin e Prishtinës me kandidatin Isa Mustafa. Lideri i partisë më të madhe opozitare premton ndryshime në ngritjen e cilësisë së infrastrukturës dhe vazhdimin e projekteve në urbanizimin e kryeqytetit.
“Nuk po kërkoj vazhdimësinë e punës sonë në Komunën e Prishtinës për të treguar pushtetin tonë, por për të përfunduar projektin madhor për Prishtinën, i cili bazohet në përparim. Nuk po kërkoj mbështetjen tuaj për të treguar fuqinë tonë, por për të dëshmuar se ne mund të bëjmë një shkollim model në Komunë, me më shumë qendra edukative dhe më shumë shkolla”, deklaroi Isa Mustafa.
I bindur në fitoren e tretë, Mustafa tha se LDK-ja, me kandidatët e përzgjedhur edhe për komunat e tjera, do të dalë fituese për shkak të programit dhe kandidatëve të saj seriozë, megjithatë në mesin e kandidatëve të saj për komuna, LDK nuk kishte përcaktuar asnjë grua.
***
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kandidat për të parin e Prishtinës ka sërish Besnik Tahirin. Haradinaj tha se dështimi nuk është opsioni i tij dhe i partisë që ai udhëheq.
“Unë i paralajmëroj të gjithë ata që i bëjnë kalkulimet politike në Kosovë, të bëhen gati për një befasi në këto zgjedhje: befasia do të jemi ne, aleanca AAK-LDD për qytetarin”, tha Ramush Haradinaj.
AAK hyn në këto zgjedhje bashkë me Lidhjen Demoktarike të Dardanisë, të udhëhequr nga Nexhat Daci. Pas prezantimit të programit, u prezantuan edhe kandidatët për komunat e tjera të Kosovës.
***
Nën tingujt kombëtarë, Lëvizja Vetëvendosje hapi fushatën në Prishtinë, duke prezantuar kandidatin për kryetar të Komunës Shpend Ahmetin. Lideri i VV-së, Albin Kurti, përmes kadidatit Ahmeti premton ndryshime thelbësore në jetën e kryeqytetasve.
“Jemi mbledhur këtu bashkë me Shpendin, këtë njeri, këtë aktivist, këtë qytetar të përgjegjshëm, këtë kryetar të ardhshëm të Prishtinës. Ne jemi lodhur prej njerëzve që përpiqen individualisht të ndryshojnë botën për veten e tyre. Ne jemi bërë bashkë të ndryshojmë Prishtinën, për hir të Prishtinës dhe besoj se kjo është formula e suksesit”, theksoi Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje synon fitore në shumë komuna kosovare. Gjatë së enjtes, fushatën e nisi në Prizren PDK-ja, ndërsa AKR-ja në Mitrovicë.
Top Channel