Izraeli sërish kundër Iranit

04/10/2013 00:00

Benjamin Netanjahu i rikthehet paralajmërimeve për Iranin, vetëm se këtë herë ka zgjedhur tjetër qasje. Iranianët, tha kreu i ekzekutivit izraelit, meritojnë shumë më tepër se qeveria që kanë aktualisht, ndërsa jetët e tyre do të shkojnë akoma më keq nëse vendi zhvillon armë bërthamore.

“Nëse prodhon armë atomike, ky regjim brutal do të jetë i pavdekshëm, si Koreja e Veriut. Presidenti i ri, Hasan Ruhani nuk i ndryshon dot vendimet që realisht merren nga Lideri Suprem i vendit”, tha Netanjahu.

Si ruhani, ashtu edhe Ajatollahu Ali Khamenei e kanë bërë të qartë se i refuzojnë armët bërthamore. Ata këmbëngulin se programi nuklear i Republikës Islamike ka vetëm qëllime paqësore, por fuqitë botërore dyshojnë në vërtetësinë e këtyre pohimeve.

Megjithatë, kohët e fundit ka pasur një shkrirje akujsh në marrëdhëniet iraniano-amerikane dhe presidenti Obama e homologu i tij Ruhani biseduan në telefon, komunikimi i parë ky i këtij niveli në më shumë se 30 vjet.

Në intervistën e tij, e para e dhënë një organizate mediatike që flet persisht, Netanjahu tha se njerëzit, ku përfshiu dhe veten, duan të shohin një zgjidhje diplomatike të krizës së programit bërthamor iranian. Por ama, të jetë një zgjidhje reale dhe jo sa për të kaluar radhën, shtoi ai.

Kjo për kryeministrin izraelit duhet të përfshijë çmontimin e aftësisë së Iranit për të krijuar një bombë atomike. “Nëse duan energji për qëllime civile, s’ka ç`u duhet pasurimi. Uraniumi i pasuruar nevojitet vetëm për armë bërthamore”, përfundon Netanjahu fjalën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB