Itali, hard disk me eksploziv gazetarit

04/10/2013 00:00

Një hard disk i mbushur me eksploziv i është dërguar gazetarit të së përditshmes “La Stampa” në Itali, Massimo Numa.

Sipas raportimeve të mediave italiane, objekti është dërguar në selinë e gazetës në Torino dhe nëse do të ishte futur në një kompjuter do të kishte shpërthyer.

Kur ka marrë pakon gazetari ka dyshuar për shkak të një shënimi që ndodhej mbi të, ku thuhej se objekti përmbante pamje dhe dokumenta të forcave të rendit.

Kështu, Numa ka lajmëruar departamentin e anti-terrorit në policinë e Torinos dhe agjentët që bënë kontrollin e hard diskut zbuluan përmbajtjen e substancave eksplozive. Mbi ngjarjen po heton prokuroria e kryeqytetit piemontez.

Numa është kërcënuar disa herë në vitet e fundit për artikujt e tij për veprat publike dhe lëvizjet anarkiste torineze, të cilat e konsiderojnë të afërt me forcat e policisë.

Më 9 prillin e kaluar në redaksinë e “La Stampa” kishte mbërritur një zarf me eksploziv, që kur ishte hapur nga një punonjës nuk kishte shpërthyer vetëm prej fatit.

Veprimi në fjalë u mor atëherë përsipër nga anarkistët. Hetuesit po ndjekin edhe këtë herë pistën e lidhur me grupet torineze që veprojnë në këtë zonë.

Dërgimi i hard diskut erdhi pas një zjarri të qëllimshëm të vendosur në një kantier ku po punohet për ndërtimin e një vepre publike.

Drejtori i së përditshmes, Mario Calabresi ka shkruar në Twitter një koment me fjalët: “Duhet ta dinë të gjithë se po afron një valë dhune”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB