
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë dy vjet më parë. Por, qeveria e Serbisë dëshiron një regjistrim të jashtëzakonshëm në zonat e jugut të Serbisë.
Këtë gjë e kundërshtojnë shqiptarët duke radhitur në arsyet e tyre faktin që procesi ka qenë i tëri në gjuhën serbe dhe nuk është mundësuar regjistrimi i shqiptarëve që tashmë kanë ikur nga kjo pjesë.
Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë, theksoi: “Cdo regjistrim në kushte të jashtëzakonshme nuk do të pritet mirë nga pala shqiptare. Do të konsiderohet si përpjekje e zyrtarizimit të pastrimit etnik.”
Ndërsa Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, deklaroi: “Kemi një numër të madh të popullatës në diasporë, ndërsa një pjesë tjetër ka ikur në Kosovë. Ata nuk kanë mundësi të regjistrohen, për këtë arsye ne duam të kemi mbështetje nga faktori ndërkombëtar dhe kushte për regjistrim.”
Qytetarët thonë se nuk mund të pranojnë regjistrimin nëse nuk regjistrohen të gjithë.
Shqiptarët thonë se Ministria e Punëve të Brendshme është duke fshirë nga listat qytetarët që nuk gjenden në shtëpi për një kohë. Ndërsa flitet për 70-100 mijë shqiptarë që jetojnë në Serbi, por shifrat nuk janë të sakta.
Top Channel