Lampeduza, 130 viktima, shumë të humbur

03/10/2013 00:00

Një anije e mbushur me të paktën 500 klandestinë është mbytur në ishullin italian të Lampeduzës, ku me qindra persona kanë përfunduar në ujë, mes të cilëve fëmijë dhe gra shtatëzëna.

Roja bregdetare italiane ka rekuperuar dhjetra kufoma, përfshirë atë të një gruaje në pritje të lindjes dhe dy fëmijëve, një djalë dhe një vajzë. Por, bilanci ka gjasa që të rëndohet. Autoritetet dyshojnë për të paktën 200 viktima.

Aktualisht, janë konfirmuar 130 të vdekur, ndërsa numri i të humburve është ende i paqartë, teksa disa media flasin se ai mund të jetë deri 250.

Sipas raportimit të së përditshmes “Corriere della Sera”, në det janë parë kufoma të tjera, ndërkohë që ato të rekuperuara janë vendosur në molin e portit, që është kthyer në një dhomë mortore në qiell të hapur.

Anija në të cilën udhëtonin rreth 500 persona, është përmbysur kur ndodhej në një distancë të shkurtër dhe ka marrë flakë. Alarmi u dha nga ekuipazhet e dy peshkarexhave që po kalonin në zonë.

Deri tani janë rekuperuar të gjallë 150 klandestinë, të cilët janë shpëtuar nga motovedetat dhe disa varka të portit, që po marrin pjesë në operacion.

“Mjaft! Po çfarë presim më shumë? Është një horror i vazhdueshëm”, ka reaguar kryetarja e bashkisë së Lampeduzës, Giusi Nicolini. Zyrtarja lokale, e informuar mbi tragjedinë, ka bërë të ditur se mes të mbijetuarve është identifikuar edhe skafisti, që është ndaluar nga policia.

Ndërkohë, gjatë natës në ishull zbarkoi një tjetër varkë me 463 persona në bord. Refugjatët u transferuan në qendrën e pritjes, që të mërkurën kishte rreth 700 persona.

Lampeduza eshte nje ishull italian, njekohesisht edhe skaji me jugor i vendit ne Detin Mesdhe e skaji me i afert per emigrantet e vendeve te Afrikes Veriore drejt BE-se.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB