F1, Alonso: Asnjë dyshim për Red Bullin

03/10/2013 00:00

Fernando Alonso nuk ka asnjë pikë dyshimi se Sebastian Vettel me Red Bullin e tij po dominon kampionatin e Formulës 1 me meritë dhe se makina kampione nuk ka asnjë parregullsi.

Spanjolli i Ferrarit deklaroi: “Nuk besoj se Red Bulli po bën gjëra në kundërshtim me rregulloren. Ata kalojnë me sukses çdo verifikim të FIA-s dhe nuk ke çfarë shton më tepër. Duke dëgjuar zhurmën e motorrit të tyre Renault mendoj se përdorin gjëra të tjera nga ne, por asgjë të parregullt. Sot, në Formula 1 është e rëndësishme aerodinamika dhe ata janë më të mirët në këtë fushë.”

Në prag të Cmimit të Madh të Koresë së Jugut, Alonso dënoi edhe vërshëllimat ndaj Vettel në podiumin e Singaporit: “Të gjithë pilotët, nga i pari deri tek i fundit, japim maksimumin dhe rrezikojmë jetën. Tifozët duhet të na respektojnë dhe duhet të shijojnë garën pasi ky është vetëm një sport.”

Në lidhje me titullin kampion që praktikisht është i fituar nga Vettel, spanjolli tha: “Gjithmonë ka një shpresë se kundërshtarit mund t’i ndodhë diçka. Logjikisht është e pamundur që unë të fitoj këtë kampionat.”

Cmimin e Madh të Koresë së Jugut mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel. Provat zyrtare, të shtunën në orën 07:00; Gara, të dielën në orën 08:00.

   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA