Dhuna në Superligën e Kosovës

03/10/2013 00:00

Incidentet e shtuara së fundmi në Superligën e Kosovës në futboll me dhunë në stadiume dhe tejkalimin e kufijve, kanë detyruar drejtuesit e Federatës që të kërkojnë një përkrahje më të madhe nga policia për sigurimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve. Për këtë qëllim, nënkryetarët e FFK-së janë takuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Ky takim është realizuar në kuadër të përpjekjeve të FFK-së që bashkë me Policinë e Kosovës të ndërtohet një strategji për të forcuar sigurinë në ndeshjet e futbollit, sidomos pas disa incidenteve që ndodhën në javët e para këtë sezon.

Sipas një njoftimi të FFK-së, krerët e kësaj federate e njohën kryepolicin e Kosovës për vështirësitë e klubeve që të sigurojnë ndeshjet e futbollit dhe me mungesën e dukshme të pjesëtarëve të policisë në stadiume, pasi për momentin aktual kërkohet një numër më i madh i tyre.

“Policia e Kosovës do të mund të ndihmonte edhe më shumë FFK-në në mbarëvajtjen e garave, sidomos në aspektin e sigurisë, kur kemi tendenca të shtimit të dhunës dhe huliganizmit në sport. Në këtë drejtim, krerët e FFK-së kanë kërkuar që të bëjnë bashkërenditjen e veprimeve, ndërmjet klubeve, dhe organeve komunale që të përmirësohet gjendja e sigurisë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Do të kërkohet gjithashtu edhe përfshirja e Prokurorisë së shtetit, ndaj rasteve, kur kërkohet ndalimi i personave që shkaktojnë incidente dhe dhunë në futbollin e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB