Paraburgim kanë vendosur prokurorët grekë edhe për zv/kryetarin e partisë neonaziste “Agimi i Artë”, Christos Papas, pas shtatë orësh deponimi, me akuzën për drejtimin e një organizate kriminale, ndërsa rol të rëndësishëm në masën për mbajtjen nën arrest të tij ka luajtur fakti, që nuk u dorëzua tek organet greke në kohën e duhur dhe u fsheh për më shumë se 24 orë.

Ndërkohë, mbrëmjen e së enjtes, lideri i kësaj partie, Nikos Mihaloliakos, bashkë me Jannis Lagos, një prej deputetëve të arrestuar, janë çuar në burgun e sigurisë së lartë në Korridhalo, nën masa të rrepta sigurie.

Mihaloliakos bëhet kështu udhëheqësi i parë i një partie të zgjedhur në Parlament, që çohet pas hekurave , qysh prej ardhjes në fuqi të juntës ushtarake në Greqi, në vitin 1967.

“Paraburgimi i liderit është krejtësisht ipadrejtë, antikushtetues dhe i diktuar nga qendrat e huaja të pushtetit. Agimi i Artë është këtu, është i bashkuar, i fortë dhe do të vazhdojë luftën e tij ligjore, politike”, tha Ilias Kasidhiaris, zëdhënës i “Agimit të Artë” për “Reuters”.

Burgosja e Mihaloliakos vlerësohet se do i japë pikë qeverisë së kryeministrit Antonis Samaras, i cili e ka cilësuar “Agimin e Artë” si një bandë neonaziste. Por, lirimi i tre deputetëve të tjerë të kësaj partie, që u arrestuan fundjavën e kaluar, ka bërë që shumë grekë të dyshojnë për qëllimet e vërteta të qeverisë, duke e akuzuar atë se synon, pas gjithë kësaj ngjarjeje, të mbulojë masat e rrepta që vazhdojnë të gjunjëzojnë qytetarët.

“Sa herë që bëhen gati të marrin masa për popullin, gjithmonë vënë diçka të madhe përpara, e bëjnë ngjarje të madhe dhe gjithë kanalet merren me të. Dhe populli s’merr vesh çfarë bëhet, kur papritur sheh taksat në qiell e shumë të tjera”, tha Antonis Lavdas, një pensionist për “Reuters”.

Sipas sondazhit të fundit të publikuar mbrëmjen e së enjtes, të Institutit VPRC, “Agimi i Artë” shënon një rënie prej muajit korrik nga 14,5% në 8,5%, por mbetet përsëri forca e tretë politike në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA