Lideri i partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë” në Greqi është lënë në paraburgim deri kur të dalë para gjyqtarëve, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal, bëri të ditur një zyrtar i gjykatës në orët e para të së enjtes.
Nikolaos Mihaloliakos u shfaq në gjyq ditën e mërkurë, në mbrojtje të akuzave për shfrytëzimin e grupit për të krijuar një organizatë kriminale, e cila mbolli terror në rrugët e vendit. Ai i mohoi akuzat.
Me pranga në duar, Michaloliakos u dërgua në kompleksin e gjykatës së Athinës gjatë mbrëmjes, nën masa tepër të rrepta sigurie, teksa simpatizantët e “Agimit të Artë” brohorisnin për njeriun e akuzuar si imazhi i neo-nazizmit në Europë.
“Gjak, nder, Agimi i Artë”, bërtisnin ata teksa politikani i thinjur e i kërrusur shoqërohej me roje të armatosura drejt ndërtesës.
Dëshmia e tij zgjati më shumë se 6 orë dhe vazhdoi deri në orët e para të së enjtes.
Duke qenë lideri i parë i një partie, i arrestuar në Greqi që prej rënies së regjimit ushtarak rreth 40 vjet më parë, Michaloliakos priste t’i jepej e njëjta masë si 5 deputetëve të tjerë të “Agimit të Artë” të arrestuar gjatë së shtunës, duke argumentuar se ai ishte viktimë e një persekutimi politik.
56-vjeçari matematicien besohet të jetë njohur me një dosje prej 4 mijë faqesh të hartuar nga hetuesit e gjykatës supreme, e cila nënvizon krimet e akuzuara të “Agimit të Artë” përgjatë këtyre 20 viteve.
Akuzat përfshijnë themelimin e një force politike që pajtohet me principet e ideologjisë naziste dhe që kënaqet vazhdimisht me përhapjen e dhunës në përmasa të gjera, duke shënjestruar emigrantët, minoritetet dhe kundërshtarët politik.
3 nga 4 deputetët e arrestuar me Michaloliakos u lanë të lirë të mërkurën, në pritje të gjyqit. I katërti, Yannis Lagos, u urdhërua të mbahej në paraburgim, pas akuzave se, ashtu si Michaloliakos, ai ishte drejtpërdrejt i lidhur me vdekjen e yllit të muzikës hip-hop në Greqi, Pavlos Fyssas, më 17 shtator, në një periferi të klasës punëtore në Athinë.
Ilias Kasidiaris, shefi i shtypit të partisë, u la i lirë me kusht, duke lënë garanci një shumë prej 50 mijë eurosh. Të gjithë deputetët janë urdhëruar të mos largohen nga Greqia.
Politikanë të opozitës dhe juristë shprehën frikën e tyre se, teksa vendimi po ekzekutohet në një kohë rekord, lista e akuzave është hartuar shumë shpejt.
Top Channel