Sandro Rosell rrezikon së tepërmi, madje edhe largimin.
Presidenti “blaugrana”, i cili po përjeton një periudhë të turbullt për shkak të një denoncim në Brazil në lidhje me disa përfitime të jashtëligjshme, sa i përket organizimit të disa ndeshjeve miqësore të “Selecao”-s, rrezikon humbjen e besimit të ortakëve të tij katalanas, të cilët kërkojnë ta zëvendësojnë duke e vënë me shpatulla pas murit pikërisht për këtë arsye.
Lëvizja “Go Barca”, e përbërë nga opinionistë katalanas, ka formalizuar kërkesën për largimin e tij gjatë ditës së hënë.
Megjithatë, të detyrosh presidentin “blaugrana” të japë dorëheqjen nuk do të jetë e lehtë. Mocioni i mosbesimit duhet të jetë i firmosur nga 5% e aksionerëve, që do të thotë një total prej 6 mijë firmash.
Për të evituar edhe rrezikun që t’i përafrohen këtij numri, Rosell ka propozuar një modifikim të rregullores së klubit: duke rritur pikërisht pragun minimal nga 5 në 15%. Një propozim, që do të duhet të shqyrtohet nga një asamble e “aksionerëve bllokues”, që është parashikuar të mblidhet më 5 tetor.
Gjithsesi, ky nuk është mocioni i parë i mosbesimit që godet një president katalanas, duke ditur se edhe Joan Laporta ishte protagonist i një aksioni të ngjashëm, por që, pavarësisht se ishin grumbulluar firmat e nevojshme, ai nuk u aprovua.
Top Channel