Duket se gjërat sa vijnë e po vështirësohen për Carlo Ancelotti-n te Real Madrid.
Tekniku italian, i cili vjen pas humbjes në “derbi” kundër Atletico Madrid, që i ka detyruar “Los Blancos”-it të ndjekin me 5 pikë diferencë kreun e La Liga-s, ka darkuar së bashku me Florentino Perez dhe Jose Angel Sanchez, të cilët e kanë siguruar duke u rikonfirmuar besimin e plotë.
Ancelotti, nga ana e tij, nuk do të mund të lejohet më të gabojë. E megjithatë, është një tjetër trajner italian, Fabio Capello, që e shënjestron ish-trajnerin e Milanit: “Ai nuk mund të ndryshojë portierin, si të ishte një mesfushor”.
Çështja kryesore e kritikave është pikërisht kjo. Ancelotti nuk ka mundur ende t’i japë një fizionomi precize skuadrës, duke mos përcaktuar 11-shen titullare tek e cila do të mund të mbështetet për t’i dhënë një shtysë më të vrullshme synimit për kampionatin dhe Champions-in.
“Është e vështirë të kuptosh se një portier luan në kampionat dhe tjetri në kupë, – ka thënë Capello për “Radio Marca”, duke folur mbi rotacionin e portierëve. – Nuk mund ta ndryshosh portierin si të ishte një mesfushor, pasi ai është një rol tepër delikat”.
Gjithsesi, vet Capello ka mbrojtur më pas Ancelotti-n: “Carlo ka nevojë për kohë. Lojtarët janë duke asimiluar ndryshimin në pankinë, – vazhdon ai. – Pavarësisht këtyre luhatjeve, Reali për mua mbetet favorit për të fituar La Liga-n”.
Tekniku i Rusisë ka folur më pas edhe për merkaton e “merengesve”: “Shitja e Ozil ishte një gabim, edhe pse nuk e di se çfarë ka ndodhur. Bale? Është një lojtar i madh, por duhet të jetë në formën e tij më të mirë fizike dhe të kuptojë akoma më mirë futbollin e Ancelotti-t”.
Top Channel