Gjashtë doktoraturat e para, të botuara nga Universiteti Europian i Tiranës, vijnë në kolanën “Thesis”, që nga gjuha latine do të thotë “teza”.
Iniciativa, më e reja e “UET Press”, është ideuar si një mbështetje e drejtpërdrejtë e komunikimit shkencor në Shqipëri, e lidhjes së një zinxhiri të ndërprerë prej vitesh, ku botimet ose monografitë shkencore kanë qene të rralla.
“Kjo është një nisëm e Universitetit Europian të Tiranës, në kuadrin e filozofisë sonë për të qenë një universitet ekselence, në mënyrë që çdo pedagog të komunikojë me një gjuhë më shkencore dhe më akademike, përveç asaj të auditoreve, me kolegët dhe studentët e tij, pikërisht duke publikuar punimet e tij të doktoraturës, duke i bërë ato prezente për një komunitet shumë më të gjerë”, u shpreh Adrian Civici, president i UET.
“Thesis i shërben pikërisht një komunikimi më të drejtpërdrejtë me komunitetin shkencor, por i shërben natyrisht edhe kritikës”, theksoi Tonin Gjuraj, rektor i UET.
“Shembja e Idhujve” nga Prof. Tonin Gjuraj, “Drapër dhe Çekan” nga Dr. Anila Bozdo, “Bursa e Tiranës” nga Dr. Elvin Meka, “Kultura Kombëtare në Kulturën Organizative”, nga Prof. Asoc. Dr. Edlira Gjuraj, “Evolucioni i Hapësirës Urbane në Qytetin e Shkodrës” nga Prof. Asoc. Dr. Nevila Xhindi përbëjnë botimin “Thesis”, të promovuar në ambientet e UET-së, të cilat prekin një sërë temash me interes të gjerë shoqëror dhe ekonomik.
Botimi, më së pari, i shërben komunitetit shkencor në Shqipëri për të rritur shkëmbimin e ideve dhe mendimeve, ku siç dihet doktoratura mbetet vepra më e lartë shkencore në karrierën universitare të një akademiku.
Top Channel