Itali, votëbesohet qeveria

02/10/2013 00:00

Me 235 vota pro, 40 kundër dhe një abstenim, qeveria e Enrico Letta-s kaloi Senatin, testin e parë në votëbesimin e kërkuar nga kryeministri në parlament.

Vota mbështetëse nga ana e ligjvënësve u kërkua nga vetë kryeministri pas dorëheqjes së refuzuar të pesë ministrave të Berlusconi-t në kabinetin e tij.

Diskutimi në Senat u karakterizua nga qëndrimet e lëkundura të Berlusconit. Në mëngjes kreu i PDL-së deklaroi se do të vendoste pas fjalës së kryeministrit Letta, ndërsa pas fjalës së tij kërkoi votën kundër qeverisë për t’u tërhequr rreth mesditës kur tha se do të mbështeste qeverinë.

Gjatë fjalës në Senat, Berlusconi pasi konfirmoi votën pro qeverisë, njoftoi nisjen për shndërrimin e PDL-së në “Forza Italia”.

Ndërkohë në fjalën e tij para senatorëve, kryeministri Letta tha se një votë jo vendos në rrezik fatal vendin dhe kërkoi prej senatorëve që të mos hedhin në erë punën e deritanishme për tejkalimin e krizës.

Italia është në rrezik. Ta parandalojmë këtë rrezik varet nga ne, varet nga zgjedhjet që do bëjmë në këtë sallë, varet nga një ‘po’ ose nga një ‘jo’”.

Me këto fjalë nisi deklaratën e tij para Senatit italian, kryeministri Enrico Letta ku kërkoi votëbesimin duke thënë se ndodhej aty për të ndarë përfundimisht një vendim gjyqësor nga misioni historik i qeverisë që është ringritja e vendit.

“Jam këtu para jush sot për të kërkuar ndarjen përfundimtare të një vendimi gjyqësor nga misioni historik i qeverisë së formuar për të ringritur vendin. Qeveria, kjo qeveri mund të vazhdojë punën e saj vetëm nëse është bindëse në programin e saj dhe me një pakt të përditëshëm për zhvillimin dhe në të mirë të qytetarëve tanë”, tha zoti Letta.

Kreu i ekzekutivit italian duke iu referuar historisë tha se mungesa e stabilitetit politik ndër dekada i ka kushtuar shtrenjtë zhvillimit të ekonomisë. Ai mori si shembull Gjermaninë. Nga 1992 deri më sot në Berlin janë ndryshuar vetëm 3 kancelarë, ndërsa në Itali, 14 qeveri.

Letta u ndal edhe tek gjendja ekonomike e vendit. Ai tha se të dhënat e 3-mujorit të fundit tregojnë daljen e vendit nga kriza, por kërkoi që të mos minohet puna e deritanishme dhe vendi të shmangë zgjedhjet e parakohëshme, që sipas tij me shumë gjasa nuk do të prodhonin një qeveri të qendrueshme.

“Sot ne mund të reformojmë politikën italiane. Zgjedhjet e reja do të siguronin kapital elektoral për njërën apo tjetrën parti, por me 4 koalicione, zgjedhjet me shumë mundësi nuk do të krijonin një mazhorancë  për të formuar qeverinë e re”, tha ai.

Pasdite Letta do të jetë në Dhomën e Deputetëve. Ai nuk pranoi dorëheqjen e paraqitur nga ministrat dhe u shpreh se Italia është përballë një rreziku vdjekjeprurës. Letta tha se në jetën e kombeve gabimi i moskapjes së çastit mund të jetë i pariparueshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB