Dyshime për Red Bullin e Vettel-it

02/10/2013 00:00

Giancarlo Minardi, ish-shefi i skuderisë Minardi në Formulën 1, ka dyshimet e tij për fitoren e thjeshtë të Sebastian Vettel në Cmimin e Madh të Singaporit.

Pasi e ka parë mirë makinën Red Bull të kampionit gjerman dhe pasi ka dëgjuar nga afër zhurmën e motorrit, ai mendon se Vettel po përdor kontrollin e traksionit, diçka që nuk lejohet në rregulloren e Formulës 1.

“Nuk kisha parë kurrë një avantazh 2.5 sekonda nga makinat e tjera. Është njësoj sikur Red Bulli është tre vite para në zhvillimin e makinës. Gjithashtu, Vettel nuk bënte korrigjime në trajektore në asnjë pjesë të pistës, ndryshe nga gjithë pilotët e tjerë, përfshirë shokun e tij të skuadrës (Webber). Në pjesën me më shumë kthesa, Vettel hapte gazin 50 metra më përpara se të tjerët. Të gjithë të tjerët hapnin gazin në të njëjtat vende të pistës, Vettel e hapte më përpara. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte zhurma e motorrit Renault. Ishte një zhurmë e ngjashme me një motorr që përdor sistemin e kontrollit të traksionit”, shpjegon Minardi.

Jehona e këtyre fjalëve ka bërë që Giancarlo Minardi të tërhiqet duke thënë se nuk ka akuzuar askënd dhe se e respekton shumë punën e një gjeniu si Adrian Newey.

Kontrolli i traksionit është një sistem që shmang rrëshkitjen e gomave të makinave dhe rrit kontrollin e saj duke e bërë punën më të thjeshtë për pilotin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA