Champions, Bayern nuk njeh rivalë

02/10/2013 23:00

Ka dhuruar emocione nata e dytë e ndeshjeve të grupeve në Champions League, ku padyshim një ndër ndeshjet më interesante ka qenë ajo mes Manchester City-t dhe Bayern Munich.

Kampionët në fuqi të Europës kanë treguar sërish supremacinë përballë “milionerëve” britanik.

Ribery, në fillimin e ndeshjes, zhbllokon gjithçka, duke i lënë radhën më pas dy golave të tjerë, që vulosën fatin e ndeshjes: Muller me fillimin e pjesës së dytë dhe më pas Robben, i cili arriti të shënojë edhe golin e parë me të djathtën.

Kur po mbyllej gjithçka, Negredo lë shenjë në këtë takim me një gol spektakolar, që gjithsesi i shtohet vetëm statistikave.

Surprizën në këto ndeshje të dyta e bëjnë turqit e Gallatasaray-t, të cilët barazojnë 2-2 me Juventusin në Torino.

Në ndeshjen e parë nën drejtimin e Mancini-t, Gallata befason të gjithë. Në fillim, Drogba mbyll pjesën e parë në favorin e tyre, por në pjesën e dytë Vidal barazon me 11-metërsh dhe Quagliarella i jep avantazhin Juventusit, vetëm për pak kohë.

Skuadra e Conte-s buzëqesh vetëm për 60 sekonda, pasi Bulut barazon në 2-2, duke i ndarë skuadrave nga një pikë; e dyta për Juventusin dhe e para për turqit, ndërkohë që Reali kryeson me pikë të plota grupin B, pasi ka shkatërruar në ndeshjen e dytë Kopenhagenin me rezultatin 4-0.

Dy golat e Ronaldos pasohen nga dy golat e Di Marias, për të harruar për pak disfatën me Atletico-n në Spanjë.

Në grupin A, Manchester United nuk ka shkuar më shumë se një barazim në Ukrainë, përballë Shakhtar-it. Falë kësaj pike, të dyja këto skuadra udhëheqin klasifikimin me nga 4 pikë, pas dy ndeshjeve në grupe.

Në ndeshjet e tjera, Paris SG fitoi 3-0 përballë Benfikës, me po këto shifra Olympiakos mund Anderlecht-in, ndërkohë Leverkusen fiton 2-1 përballë Sociedad dhe CSKA-ja e Moskës fiton 3-2 ndaj Victoria Plzen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA