Takimet e Ligës së Kampioneve

01/10/2013 00:00

Rafa Benitez rikthehet në Londër, por këtë herë si trajner i Napolit. Skuadra italiane do të ndeshet në “Emirates Stadium” me Arsenalin e Vengerit, kryesuesja e Premier Ligës në këto 6 javë të para.

Problemi i vetëm për trajnerin Benitez është dëmtimi muskular i Higuain, gjë që mund ta lërë atë në stol. Edhe pse do t’i mungojë një nga pikat më të forta në sulm, trajneri spanjoll pritet të mos ndryshojë modulin apo taktikën e lojës. Në grupin F, Borussia duhet të mundë në Dortmund francezët e Marsejës për të mos vënë që tani në rrezik kualifikimin për në turin tjetër.
 
Milani vazhdon si gjithmonë me probleme dëmtimesh. Këtë herë është El Sharavi i cili është dëmtuar në këmbën e majtë. Gjithsesi, kundër Ajaksit, Masimiliano Alegri do të ketë në dispozicion Balotelin dhe Montolivon që nga minuta e parë, gjë e cila i jep shpresa trajnerit italian për një rezultat pozitiv në Amsterdam.

Ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë Celtic-Barcelona. Katalanasit pa Mesin do ta kenë të vështirë të mundin skuadrën skoceze e cila vitin e kaluar i mposhti me rezultatin 2-1.
 
Agonizmi sportiv nuk është vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Zhoze Murinjo është rikthyer sërish si dikur, duke sfumuar sfidën Steaua Bukuresht-Chelsea e duke u bërë ai protagonist i kësaj ndeshjeje. I pyetur për mosgrumbullimin e Kevin De Bryn, portugezi është përgjigjur në mënyrë e tij dhe më pas është larguar nga konferenca e shtypit duke mos iu përgjigjur asnjë pyetjeje tjetër rreth ndeshjes së mbrëmjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA