
Avokati i Popullit, Ismajl Kurteshi shprehet i shqetësuar me gjendjen dhe trajtimin e të moshuarve në Kosovë. Pasi vizitoi Shtëpinë për Persona të Moshuar dhe Përkujdesje Familjare në kryeqytet, Kurteshi tha se nuk do ta lërë këtë çështje vetëm në suaza të vizitave dhe deklarimeve.
“Ne do të bëjmë përpjekje për të ndikuar edhe do të marrin kërkesat tërësisht reale. Ju i patë, për shembull ka mangësi të stafit mjekësor të mesëm, ata që i ndihmojnë, sepse këtu ka njerëz që nuk janë në gjendje të lëvizin vetë. Po ashtu, këtu ka njerëz që janë nën moshën 65-vjeçare por sidomos njerëz me të meta mentale që është vështirë për stafin vetvtiu, por edhe për banorët sepse ata nuk mund të banojnë në mënyrë normale. Sigurisht, ka ndërtesa shumë më të mira sepse rrallë janë banesa që i plotësojnë kushtet”, deklaroi Kurteshi.
Problem tjeter është se në këtë objekt qëndrojnë bashkë edhe grupmosha më të reja se 56 vjeç. “Ne për momentin kemi 93 klientë nga të gjitha nacionalitetet, stafin e kemi 58 punëtorë. Me këtë staf që e kemi mundohemi që mbështetja në asnjë moment të mos iu mungojë, mirëpo tek stafi shëndetësor kemi mungesë teknik medicinal, sepse gjatë natës kemi vetëm një teknik dhe një ndihmëse mjekësore. Ky është një problem që na është përsëritur viteve të fundit, por ky nuk varet prej nesh”, tha Raza Aliçkaj, drejtoreshë e Shtëpisë për Persona të Moshuar në Prishtinë.
Të kënaqur me kushtet duket se janë vetëm të moshuarit. “Unë kam ardhur një vit pas lufte. Mirë i kemi kushtet, mirë, tonat i kemi, tri herë në ditë e kemi ushqimin, na e përgatisin mirë, jo mirë po shumë mirë, na presin mirë edhe mjeken e kemi këtu për çdo rast”, shprehet Jakute Turjaka, një nga banoret e shtëpisë.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve në shtete të ndryshme zbatohen programe, të cilat synojnë evidentimin dhe trajtimin e problemeve të moshës së tretë.
Top Channel