Milani për fitore, Juve në sfidën derbi

28/09/2013 00:00

Antonio Conte ka paralajmëruar skuadrën e tij për një sfidë të vështirë në derbin kundër Torinos. Ai vlerësoi kundërshtarin si një skuadër të fortë, ndërsa si shembull solli takimet e para kur mbante veshur fanelën e Juventusit në sezonin 1994-1995, kur skuadra “Granada” mposhti dy herë Juventusin, pavarësisht që në fund bardhezinjtë u shpallën kampionë.

“Derbi është gjithnjë i vështirë për t’u luajtur dhe rëndësi ka organizimi dhe motivimi në fushë. Vitin e parë që fituam skudeton humbëm të dyja takimet, pavarësisht që vlerat teknike ishin më lartë në anën tonë”, tha ai.

Juventusi luan të dielën në orën 12:30 kundër Torinos, ndërkohë që sonte janë dy sfidat e para të javës së gjashtë, ku Napoli luan në Xhenova, ndërsa Milani pret në shtëpi Sampdorian.

Napoletanët do të kërkojnë të lënë pas krahëve atë barazim 1-1 në fushën e tyre me modestët e Sasuolos, ndërkohë që kuqezinjtë do të kërkojnë pikët maksimale në San Siro në mungesë të Balotellit.

SuperMario është shndërruar në një problem tek Milani, pavarësisht që ka kërkuar publikisht falje për gjestin e tij në takimin e fundjavës së kaluar ndaj gjyqtarit të takimit. Trajneri Allegri tha se Balotelli kishte kërkuar ndjesë për sjelljen e tij dhe shtoi se tashmë e rëndësishme është të shikohet përpara dhe të merren pikët maksimale ndaj Sampdorias.

Ndërkohë, Interi i Mazzarit që ka nisur si mos më mirë sezonin do të luajë në transfertë ndaj Kaljarit. Roma kryesuese, e vetme me pikë të plota, pret në shtëpi Bolonjën, ndërsa Lacio luan në transfertë ndaj Sasuolos.

Fiorentina-Parma që luhet të hënën mbyll javën e gjashtë të Serisë A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA