Vrasja e Khameneit, Financial Times: Izraeli kishte hakuar kamerat prej vitesh, i bllokoi telefonat
Kryeministri italian Enrico Letta kërcënoi me dorëheqje nëse kabineti i tij nuk merr një mbështetje të pastër parlamentare në votëbesimin që pritet të mbahet javën e ardhshme.
Qeveria italiane është një koalicion i paqëndrueshëm mes të majtës së Letta-s dhe të djathtës së udhëhequr nga Berlusconi pas rezultatit të zgjedhjeve të shkurtit që nuk i dha asnjërës palë një rezultat të pastër për të formuar qeverinë.
Ish-kryeministri Berlusconi rrezikon të humbasë vendin e tij në Senat pas dënimit të dhënë nga drejtësia italiane dhe mbështetësit e tij në qeveri deklaruan se do të japin dorëheqjen nëse një gjë e tillë ndodh.
“Nuk kam ndërmende të sorollatem dhe të jem objekt kërcënimesh gjithë kohës. Kjo qeveri ose shkon përpara në interes të vendit dhe qytetarëve ose ky koalicion përfundon këtu”, deklaroi kryeministri Letta.
Dy ministra të kabinetit deklaruan se kryeministri do të thërrasë një votëbesim në parlament javën e ardhshme. Përplasjet mes së Partisë Demokratike të majtë dhe Popullit të Lirisë të qendrës së djathtë, që të dyja në qeverisje, kanë paralizuar punën e kabinetit të kryeministri Letta.
Qeveria rrezikon të rrëzohet pikërisht në kohën kur vendi ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet ekonomik për të dalë nga kriza ekonomike. Por nëse mbështetësit e Berlusconi-t vendosin të dalin atëherë italianët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit brenda pak javëve.
Presidenti italian, Napolitano dhe përfaqësues të biznesit bënë thirrje për stabilitet politik dhe kundër mundësisë së zgjedhjeve të reja, të cilat sipas tyre do të minonin arritjet e deritanishme për të dalë nga kriza.
Top Channel