Iran, Rouhani pritet me protesta

28/09/2013 00:00

Presidenti iranian Hassan Rouhani është pritur nga dy fraksione qytetarësh kur ka mbërritur në Teheran pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, nga njëra anë kanë qenë 200-300 mbështetës të tij të mbledhur jashtë aeroportit, për ta falenderuar presidentin për përpjekjet e tij për paqe.

Por nga ana tjetër kanë qenë rreth 60 persona të tjerë që bërtisnin “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”. Gjithësesi, zoti Rouhani i përshëndeti të gjithë me dorë teksa largohej me autokolonën e tij.

Një reporter i “New York Times” e përshkroi skenën si kaotike, me kundërshtarët që gjuanin me vezë dhe këpucë ndaj autokolonës së presidentit.

Agjencia iraniane e lajmeve “ILNA” njofton ndërkohë se: “Një turmë të rinjsh dhe studentësh u mblodhën në aeroportin Mehrabad për të treguar mbështetjen për qëndrimin e presidentit gjatë vizitës së tij në Nju Jork”.

I njëjti burim shton se, Ali Akbar Velayati, një këshilltar i vjetër i udhëheqësit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei dhe një numër anëtarësh të kabinetit mirëpritën gjithashtu presidentin.

Kthimi i Rouhanit në vendlindje vjen një ditë pas bisedës telefonike të zhvilluar mes tij dhe presidentit amerikan Barack Obama.

I cituar nga agjencia e lajmeve “Fars”, Rouhani ka thënë se ishte pala amerikane që kishte kërkuar bisedën, duke mohuar lajmet e publikuara në shtypin amerikan.

“Ditën e djeshme, teksa bëheshim gati të niseshim për në aeroport, Shtëpia e Bardhë telefonoi dhe shprehu vullnetin për një bisedë telefonike mes presidentit amerikan dhe mua”, ka thënë Rouhani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB