DEA arreston vrasësit me pagesë

28/09/2013 00:00

Tre persona janë arrestuar në lidhje me një komplot për të vrarë një agjent të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, njoftuan autoritetet amerikane.

Dy ish-ushtarakë amerikanë dhe një gjerman u arrestuan jashtë Amerikës, por u ekstraduan atje pas një operacioni “undercover”.

Të dyshuarit konsiderohen trafikantë ndërkombëtarë kokaine dhe vrasës me pagesë. Dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar ndërkohë në Estoni.

Arrestimet janë kryer nga agjentët e Administratës së Antidrogës, DEA, të cilët e shtrinë operacionin e tyre në Azi, Afrikë, Evropë dhe Karaibe.

Prokurori amerikan për Rajonin Jugor të Nju Jorkut, Preet Bharara e cilësoi komplotin e tre personave si “drithërues” dhe si “të shkëputur nga faqet e një romani spiunazhi”.

“Akuzat tregojnë se kemi të bëjmë me një bandë ndërkombëtare mercenarësh, që aftësitë e tyre ushtarake i kanë vënë në shërbim të së keqes”, deklaroi prokurori.

Sipas autoriteteve amerikane, Joseph Manuel Hunter, 48 vjeç, kishte shërbyer si një instruktor qitjeje në Ushtrinë Amerikane deri në vitin 2004.

Ndërsa Timothy Vamvakias, 42, kishte shërbyer si këmbësor me gradën e rreshterit. Gjermani Dennis Gogel, 27 vjeç, ishte stërvitur si snajper në Gjermani dhe kishte shërbyer në forcat e armatosura të këtij vendi deri në vitin 2010.

Sipas autoriteteve amerikane, Hunter punonte si vrasës me pagesë që kur kishte lënë ushtrinë dhe si “shef sigurie” për një organizatë të fuqishme të narkotrafikut, e lidhur me një operacion të DEA-s më herët gjatë vitit.

Në rolin e tij, 48-vjeçari, i njohur me pseudonimin Rambo, kishte mbledhur një skuadër sigurie që mbikëqyrte operacionet e trafikut të drogës, përfshirë atë të një ngarkese prej 300 kg që ishte dërguar për në Nju Jork.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB