Oligarkët e hanë bukën me sheqer

27/09/2013 00:00

FADIL LEPAJA  – Një studiues nga Holanda, vend ky i njohur për ligjet
liberale lidhur me përdorimin e narkotikëve, tërheq vërejtjen për
rrezikun e përdorimit të tepruar të sheqerit. Ai, thotë se sheqeri është
droga më e rrezikshme e kohës sonë. Jo, kanabis sativa! Jo kokaina! Jo
drogat e tjera për luftimin e të cilave në shkallë globale harxhohen
shumë bilionë dollarë. Pikërisht sheqeri!

Nejse, ne e kemi Lazaratin, e dikur e kishim edhe fabrikën e sheqerit! Te ne ka sa të duash kanabis sativa, edhe sheqer! Të dyja shiten lirisht! Por sheqeri shitet lirë! Populli nuk ka para për kanabis! Prandaj hanë sheqer! Prandaj jemi kombi më optimist, në kontinent!

Por Europa ka evoluar përtej sheqerit! Po shikoja një fotografi në mediat tona, në të cilën Kryeministri britanik po flinte për shtat palë qejfe, derisa, “balldëska” e tij e ka përjetësuar këtë çast me kamerën e saj. Kjo u pa si një skenë shumë simpatike, aq më tepër që Kryeministri po flinte dathë. Mesazhi ishte, se në këtë vend ka mjaft siguri, por edhe se Kryeministri punon shumë sa edhe në dasmë të “balldëskës” po fle! Ne e lexojmë edhe ndryshe. I ka një ndreqë senet, njeri!

Kryeministrin tonë, ndërkaq, nuk mundet askush me fotografue në horizontale! As në gjumë e lere më dathë! Kohëve të fundit flitet se nuk po fle. Aq më tepër, dathë! Po fle mbathë, po thonë! Në kuptimin figurativ, natyrisht! Jemi tashmë në fushatë! Edhe “delet” në Parlament nuk po dalin në numër!

Kështu, slogani i dikurshëm i një OJQ-je tonë, ka gjetur aplikim në Angli! Ndër ne ishte dhe mbetet veç si batutë e lezetshme! “Fle dathë”!

Ndërkohë, Kryeministri jonë, i lodhur nga fushata nuk po fle as në mbledhje të qeverisë, e cila njihet për nga harmonia dhe monotonia! Për të gjitha pajtohen.

Kryeministri këto ditë nuk ishte aktiv në selinë e partisë, por gjithsesi prej qeverisë drejtpërdrejt angazhohet në parti dhe fushatë!

Ai nuk po i ndërron kandidatët e vjetër, e as taktikën. Edhe kësaj radhe premtoi me ua rrit të gjithëve! Rrogën! Sidomos punonjësve të arsimit. Sepse ata përbëjnë numrin më të madh të votuesve të organizuar. Edhe policisë! Për çdo rast! E kjo, do të ndodhë, si premton Kryeministri, në vitin e ardhshëm! Krejt kjo lë me u kuptue se Kryeministri po mendon për të ardhmen! Për zgjedhjet nacionale të vitit të ardhshëm. Tash veç po e gjuan grepin. Me një të rame…!

E, FMN-ja, zakonisht grindavece, kësaj radhe tha: “ANI”! Ose u pajtua, ose u lodh duke thënë jo, e duke marrë mbi vete mllefin e nëpunësve të zemëruar.

Por, duke e ditur se ku është burimi i pushtetit, ku është sovrani, Kryeministri fushatën kryesore po e zhvillon në SHBA! Atje po takohet me çdokënd veç për të prodhuar së paku një lajm në ditë për televizionin tonë (a)nacional! E këndej kundërshtarët po vlojnë! Po zihen në vete! Kazani po vlon!

Përndryshe, qeveria është argëtuesja kryesore në këtë vend. Kështu, nuk e di në ishte në funksion të ndonjë fushate edhe deklarata e zëvendësministrit të ri të FSK-së, i cili tha se ne fare nuk kemi nevojë për aeroplanë. Gabim z. zëvendësministër!

Jo vetëm aeroplanë, por na duhen edhe disa aeroporte (para)ushtarake në Skenderaj, Podujevë, Deqan, Graçanicë! Kështu, të premteve pasdite, kur të bllokohet trafiku në Fushë-Kosovë, qeveria mundet me shkue në shtëpi me aeroplanë luftarakë! Me “Apacha”! Rrugës mundet me ia kallë kashtën ndonjë armiku lokal sa me i provue raketat. Pastaj, ky armiku, në të shkuarën mund t’i ketë lëshue lopët në livadhin e tyre. Asgjë nuk harrohet!

Kështu, as policia nuk i ndalë dot as djemtë e oligarkëve kur dalin me aeroplanë për gjueti. Kështu shpëtojnë edhe vetë, pa telashe! Nejse!

Këto ditë mësuam se edhe fletëvotimet do të shtypen jashtë. Kështu po thonë mediat. Edhe këtu, aeroplanët munden me e thjeshtësue situatën, zëvendësministër! Më mirë të gjithë ne me shkue me votue jashtë! Nëse sillen fletëvotimet këtu, gjatë rrugës munden prapë me humbë! Prandaj, mënyra më e lehtë po shkojmë ne jashtë e po votojmë!

Natyrisht, edhe shkuarja jashtë i ka problemet e veta! Janë së paku dy probleme, të cilat Kryeministri duhet me i rregullu me Ivicën edhe me Ket (Ashton)! Në radhë të parë, vizat! Mjafton me i dhanë njëdrejtimëshe. Pastaj, kështu zgjidhet edhe problemi i Kosovës! Eliminohet edhe Danubi si destinacion “turistik” i kosovarëve. Problemin tjetër, po e dini! Edhe me na i dhënë vizat Europa, shteti ynë na qetë viza dalëse! Nuk na beson shteti!

Pra, më mirë me votue jashtë! Kështu në lokalitetet tona, në të ardhmen nuk do të gjindeshin më kuti të tjera “të humbura” votimi sikur ajo në Zllakuqan! As kamionët me fletëvotime nuk do të merreshin më në shtëpi, nga shoferët e hutuar!

Siç e dini, këto ditë, policia ka gjetur një kuti votimi që besohet se i takon procesit zgjedhor të mbajtur më 17 nëntor të vitit 2010. E sa nuk janë gjetur ende, ende nuk dihet! Dikush si duket, nëpër errësirë, derisa e ka zëvendësuar kutinë e sapombushur me kutinë e mbushur ditë më parë në shtëpi, e ka ngatërruar procedurën. Kjo është përjashtim, se te ne dëshmitë zhduken! Ja kemi marrë dorën, kësaj pune! I kemi dhomat e dëshmive!

Kështu, duhet të mësohemi me kutia! Me dalë jashtë kutive, thonë edhe teoritë më bashkëkohore psikologjike! Duhet të mësohemi me shumëçka! Po merremi me probleme të mëdha, globale!

Dikur ishte ndryshe! Thuhet se dy fëmijë fshati duke ruajtur delet po bisedonin mes vetes për gjëra të mëdha! A thua, me çka e hanë bukën, shoku Tito, po pyeste i vogli? Me sheqer, me çka tjetër, thuhet të jetë përgjigjur më i rrituri! Asokohe kjo tregohej si një anekdotë! Edhe sheqeri ishte diçka e rrallë. Prodhohej nëpër fabrikat e proletariatit ndërkombëtar dhe ishte veç për shtresat e larta të shoqërisë, ku të gjithë ishin të barabartë!

Po mendoja për vendin tonë të bukur dhe për perspektivën e tij të ndritur. Kjo perspektivë u çel pasi i hëngra nja dy bakllava dhe një copë tortë. Sheqeri, po thonë, është drogë shumë e rrezikshme. Më e rrezikshmja. Më zuri edhe mua! Për fjalët që pasojnë mbajë përgjegjësi të kufizuar!

Tash, pas deklaratës së shkencëtarit holandez i kuptuam shumë gjëra. E gjetëm alibinë!

Sidomos po i kuptojmë më mirë disa zhvillime ndër oligarkët e rinj ende të pamësuar me muskujt e tyre të mbushur me sherbet dhe plot fuqi për me ba keq. Tash është krejt e kuptueshme përse qeveritarët tanë nganjëherë, qoftë në Parlament, qoftë në deklarime publike, sillen si të droguar. Apo përse po bëjnë kaq probleme fëmijët e oligarkëve tanë lokalë. Sheqeri!

Vijnë kushërinjtë për uikend nga vendlindja, për ndonjë punësim apo tender dhe sjellin me vete revani. Apo tespishte. Apo bakllavë. Qysh mos me krye punë! Pastaj të hënën dalin në “punë” të droguar nga sheqeri.

“Prej së ëmbli më dogji, menjëherë e largova”, shkruante dikur poeti kosovar e ne nuk e kishim kuptuar! Ëmbël, vëlla, tepër ëmbël.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA