Franca vazhdon të shpërfillë ankesat e përsëritura të organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke shpërndarë me forcë një tjetër kamp rom në qytetin verior të Rubeksit.
Toleranca zero ndaj vendosjes së romëve në truallin francez e Parisit zyrtar është vënë në qendër të kritikave nga organizata prestigjioze si “Human Rights Watch” dhe të Komisionit Europian.
Megjithatë, pak ditë pasi ministri Valls paralajmëroi vazhdimin e aksioneve me argumentin se romët i përkasin një komuniteti të “paintegrueshëm në shoqëri”, një deklaratë që u vu në qendër të kritikave të opozitës për racizëm, policia u rikthyeu në aksionin e shkatërrimit të kampeve dhe riatdhesimit të romëve në vendin e tyre të origjinës.
Policia ndërhyri në orët e para të mëngjesit, duke sekuestruar rulotë, prishur kasollet dhe duke i kërkuar romëve që të mblidhnin shpejt sendet e tyre.
Të informuar për aksionin e policisë, shumë romë ishin larguar gjatë natës, por 200 prej tyre u ndaluan prej policisë.
Në gjashtë muajt e para të vitit, Franca ka riatdhesuar 10 mijë romë, kryesisht në Rumani, Bullgari apo vendet e origjinës në ish-Jugosllavi.
Rreth 20 mijë romë besohet se jetojnë në Francë dhe shumë prej tyre përballen me mundësinë e riatdhesimit në muajt e ardhshëm.
Nga ana e tyre, autoritetet argumentuan veprimin me faktin se romët nuk kishin dokumente të vlefshme qëndrimi, se kishin zaptuar hapësirën publike dhe ishin shndërruar në një shqetësim për komunitetin e Rubeksit.
Top Channel