Detroiti do të përfitojë 300 milionë dollarë nga ndihma federale, para të cilat janë të destinuara të shpëtojnë qytetin nga falimentimi i tij i plotë.
Dikur qyteti i dhjetë më i madh i SHBA-së, Detroiti ka njohur një rënie popullsie prej 25% në dhjetë vitet e fundit, ndërsa bashkia u detyrua të shpallte falimentimin më parë gjatë qershorit.
Shtëpi e mbi 700 mijë personave, Detroiti ishte vite më parë jo vetëm kryeqendra e Miçiganit, por edhe një prej qyteteve më të lulëzuara të SHBA-së.
Me qendrat e prodhimit të automjeteve të lokalizuara rreth tij, Detroiti u rrit deri në 1,8 milionë banorë në vitet 1960, por kolapsi i kësaj industrie dhe zhvendosja e shumë fabrikave jashtë SHBA-ve në vende ku krahu i punës është shumë më i lirë kanë sjellë rrënimin e ngadaltë të qytetit.
Sot, popullsia e kryeqendrës së Miçiganit është rrudhur me 60% krahasuar me maksimumin historik, ndërsa të tjerë njerëz vazhdojnë të braktisin qytetin.
Nga 300 milionë dollarët e akorduar nga qeveria, gjysma e kësaj shume do të përdoret për shkatërrimin e blloqeve të pallateve të braktisura, ndërsa pjesa tjetër për rihabilitimin e rrjetit të transporteve, të linjave të autobuzave dhe për vendosjen e një sistemi kamerash, me qëllim që të luftohet kriminaliteti në rritje.
Një e dhjeta e shumës do të përdoret për të paguar fondin e pensioneve, zjarrëfikësit dhe policinë, që të vazhdojnë të veprojnë në qytet.
E ndërsa ndihma federale i jep pak frymë Detroitit, i njohur ndryshe si “Motor City”, e ardhmja e kryqendrës së Miçiganit paraqitet sot për sot më e zymtë se kurrë.
Top Channel