Trupi i pajetë i pjesëtarit të EULEX-it që u vra në veri u nis të mërkurën drejt atdheut të tij, Lituanisë. Audrius Senavicius, doganier i misionit evropian, ishte viktimë e një sulmi me armë zjarri më 19 shtator, në afërsi të Zveçanit.

Me një ceremoni në aeroportin ushtarak në Prishtinë atij iu dhanë nderimet e fundit nga zyrtarë të lartë të vendit, EULEX-it, KFOR-it, ambasadorë e personalitete të tjera vendorë e ndërkombëtarë. Shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt e cilës vrasjen e doganierit si një sulm kundër Bashkimit Evropian.

“Kjo vdekje tragjike dhe brutale ka ndikim të thellë jo vetëm tek unë, por mbi të  gjithë misionin. Sulmi ndaj autokolonës së EULEX-it nuk ishte vetëm sulm ndaj misionit, por ishtë sulm ndaj Bashkimit Evropian dhe ligjit, të cilin kemi ardhur ta forcojmë në Kosovë”, deklaroi Borchardt.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga një akt të tillë e konsideroi të qëllimshmëm. “Ky sulm është sulm mbi vlerat tona të përbashkëta! Nga forcat shkatërruese që duan ta ngufasin përparimin e Kosovës, që duan t’i përmbysin arritjet tona të shumta dhe që kanë për qëllim të mbjellin mosbesimin dhe frikën në zemrat e qytetarëve të Kosovës, që po përpiqen dhe po bëjnë sakrifica të mëdha për të transformuar shtetin tonë në një vend më të mirë”, tha Jahjaga.

Ndërsa sipas përfaqësuesit diplomatik të Lituanisë në Prishtinë, vrasja e doganierit është provë se Kosova ka ende nevojë për mbështetje ndërkombëtare.

“Si shteti më i ri në Evropë, Kosova ka nevojë për komunitetin ndërkombëtar gjatë procesit të shtetndërtimit. Ky akt  brutal tregon se UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i e organizata të tjera qeveritare e joqeveritare kanë një rol të rëndësishëm në stabilitetin e sigurisë dhe mbizotërimin e ligjit në Kosovë”, deklaroi Darius Gaidys.

Trupi i agjentit Audrius Senavicius, i shoqëruar nga e ëma, u kthye në Lituani me një aeroplan ushtarak. Në ceremoni morën pjesë edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA