
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të mrëkurën me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
Sipas një njoftimi për shtyp nga zyra për komunikim e Kryeministrisë kosovare, gjatë kësaj pritjeje Thaçi shkurtazi e ka njoftuar presidentin Obama për arritjet e shtetit të Kosovës gjatë periudhës së paspavarësisë.
Gjithashtu, ai ka prezantuar vizionin e përkushtimin e qeverisë së tij për të përmbushur tërësisht axhendën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Takimi me presidentin Obama dhe zonjën e parë të SHBA u realizua në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ku Thaçi po merr pjesë në punimet e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.
Kryeministri Thaçi në emër të qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës ka falënderuar presidentin Obama për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, duke filluar nga procesi i çlirimit, për të vijuar me procesin e pavarësisë dhe tani me procesin e integrimit në BE dhe NATO.
Sipas komunikatës, nga ana e tij presidenti Obama ka vlerësuar lidershipin e kryeministrit Thaçi në kuadër të procesit të shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar rolin e tij konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.
Top Channel