Megjithëse ende nuk është zbardhur asnjë detaj lidhur me autorët e vrasjes së doganierit lituanez në veri të Kosovës, hetimet lidhur me këtë çështje po vazhdojnë nga policia e Kosovës dhe ajo e Eulex-it.

Sipas kreut të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, kjo ngjarje e rëndë dhe tragjike do të jetë motiv shtesë që EULEX-i bashkë me institucionet vendore të punojë edhe më shumë në vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veri.

Këto komente shefi i misionit të EULEX-it, Bernd Borchard, i dha pas takimit të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Rendit dhe Ligjit, ku mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë dhe shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë.
 
“Së pari, kjo vrasje është një ngjarje tragjike për kolegët që kanë punuar, për mua dhe për të gjitha strukturat edhe në Bruksel. Ne shpresojmë që ky do të jetë edhe një inkurajim që ne të gjejmë zgjidhje edhe me të mira për vendosjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës”, theksoi Borchard.

“Ne konstatuam edhe gjendjen aktuale të shumë institucioneve në Kosovë, veçanërisht aty ku kemi kompetenca të përbashkëta me EULEX-in, ngritjen e kapaciteteve tona dhe zvogëlimin gradual të kapaciteteve të EULEX-it në Kosovë”, deklaroi Kuçi.

Ndërsa shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, tregoi disa nga projektet në vazhdim: “Kemi diskutuar projekte që kanë të bëjnë me departamentin e mjekësisë ligjore, pastaj projektin për të ndërtuar një burg të sigurisë së lartë, programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe kjo është një mënyrë e mirë se si mund të bashkëpunojmë.”
 
Borchard dhe Kuçi janë përgjigjur edhe rreth çështjes së përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe nëse Kosova ka kapacitete për të gjykuar krimet e luftës dhe krimet e rënda, të korrupsionit apo krimit dhe terrorizmit. Lidhur me këtë çështje, ministri kosovar i Drejtësisë u shpreh se Kosova ka kapacitete, ndërkohë Borchard tha se Bordi ende nuk ka diskutuar konkretisht për çështje specifike.

Megjithatë, ai theksoi se qëllimi i EULEX-it është që deri në fund të këtij mandati të ndihmojnë në zhvillimin e institucioneve sa më shumë.

Top Channel