
Autoritetet serbe ngulin këmbë se duhet të zhvillohet regjistrimi i
popullsisë në Luginën e Preshevës. Kjo u paralajmërua nga shefi i
Këshillit Koordinues për Luginën, Zoran Stankoviç.
Shqiptarët e Luginës bojkotuan regjistrimin e vitit të kaluar, për shkak të mosplotësimit të kërkesave për formularët në gjuhën shqipe dhe çështje të tjera rreth procesit të regjistrimit. Stankoviç deklaroi se regjistrimi do të kontribuojë për jetën më të mirë të qytetarëve të këtij rajoni.
“Nëse kemi në një komunë 456 banorë të regjistruar, siç është numri i banorëve shqiptarë në Bujanoc, automatikisht duhet të zvoglohet buxheti për funksionimin e Këshillit kombëtar të shqiptarëve. Por pastaj akuzohet shteti se këtë e ka bërë me qëllim. prandaj të bëjmë regjistrimin e njerëzve atje, sepse ne e dimë që janë më shumë. Kështu ata nuk do të diskriminohen, por të marrin burimet që i takojnë ” tha Stankoviç.
Sipas tij, për të planifikuar investime në arsim, shëndetësi apo ndonjë degë tjetër, duhet të dihet saktë numri i banorëve. Gjatë regjistrimit të popullsisë në Serbi, më 2011 shqiptarët nuk pranuan të regjistrohen, duke refuzuar kështu përpjekjet për t’i falsifikuar rezultatet e tij. Tani nga këto komuna shumë shqiptarë janë larguar drejt Kosovës apo Europës dhe Serbia synon ta kthejë në fakt gjendjen aktuale jo reale.
Top Channel