Dy drejtues të policisë greke paraqitën dorëheqjen e tyre këtë të hënë, pasi një këngëtar anti-fashist u vra prej militantëve të partisë neonaziste të Agimit të Artë.
Zyrtarisht drejtuesit thanë dorëheqjen për “arsye personale”, por mediat helene e kanë lidhur këtë gjest gjerësisht me vrasjen.
Dy drejtues të tjerë të policisë janë pezulluar në kuadër të këtij hetimi.
Vrasja me thikë e 34-vjeçarit Pavlos Fyssas, të mërkurën e shkuar në Athinë, ka forcuar një ndienjë anti-fashiste në fqinjët jugorë.
Një i dyshuar është ndaluar, ndërsa hetime kanë nisur ndaj të gjithë Agimit të Artë, që sipas disa mediave, rrezikon deri nxjerrjen jashtë ligjit nëse vërtetohet përfshirja e tij në këtë vrasje dhe një seri rrahjesh të emigrantëve e krime të tjera që kanë ndodhur në vend.
Një parti me një mbështetje të papërfillshme në dekadën e parë të viteve 2000, Agimi i Artë fitoi 7% të votave popullore dhe 18 deputetë në zgjedhjet e përgjitshme të 2012-s.
Sondazhet që prej atëherë treguan një rritje të mëtejshme në mbështetje, por Agimi i Artë duket se ka rënë përsëri në nivelin e 7%, pas kësaj vrasje.
Top Channel