Ministri i Industrisë dhe Energjetikës Damian Gjiknuri deklaroi se sektori i energjisë elektrike është në krizë të thellë financiare.
“Problemi i sektorit energjetik nuk është vetëm mungesa e burimeve të energjisë. Problemi më i madh është financiar, dhe ky problem ka ardhur nga mungesa e një vizioni dhe e kujdesit të duhur nga ana e shtetit për të imponuar ato standarde që normalisht duhet t’ua impononte operatorëve në treg. Këtu e kam fjalën edhe për privatizimin e dështuar në sektorin e shpërndarjes së energjisë, i cili realisht e ka futur të gjithë sektorin në një krizë të rëndë financiare”, tha ministri Gjiknuri.
Zoti Gjiknuri tha se shkaku i kësaj krize është keqmenaxhimi, një fenomen që sipas tij ka prekur të thuajse të gjithë sektorët strategjik të ekonomisë.
“Kjo ndodh dhe në sektorin e naftës, ku publiku ka të drejtë të pyesë, si ka mundësi që pasuritë e mëdha të Shqipërisë nuk sjellin ose sjellin shumë pak para në portofolin e publikut?! Çfarë po ndodh me të? A është ky interesi i shtetit, që vetëm të nxisë disa eksplorues dhe shfrytëzues të naftës shqiptare, pa pasur dhe detyrime për mbrojtjen e interesit të publikut? Jo, kjo nuk duhet të jetë. Kjo nuk i intereson mbi të gjitha vetë sektorit të naftës”, deklaroi ministri.
Kreu i energjetikës tha se qeveria do të ndryshojë strategjinë e privatizimeve dhe administrimit të sektorëve të rëndësishëm.
“Shteti duhet të nxisë privatizimet, por privatizimet jo si qëllim në vetvete me parimin ‘unë heq dorë nga prona publike, fus ca para në buxhet dhe nuk kujdesem më se çfarë ndodh’. Unë si përfaqësues i kësaj qeverie, jam i bindur se qeveria shqiptare e ka një nga çështjet themelore në programin e saj ruajtjen e dimensionit publik në çdo partneritet publik-privat. Kjo nuk është për të trembur asnjë biznesmen, kjo është për të harmonizuar pikërisht ato interesa që thamë; që shteti dhe biznesi duhet të ecin dorë për dore”, shtoi Gjiknuri.
Këto deklarata kreu i energjetikës i bëri në Forumi Ndërkombëtar “Tregu i Kapitaleve në Shqipëri dhe rajon, të organizuar në Tiranë nga grupimi i industrialistëve shqiptarë.
Top Channel