Ferrari, nga tetori nis puna për aerodinamikën

24/09/2013 17:05

Me Sebastian Vettel që duket se praktikisht ka hipotekuar titullin e katërt kampion radhazi në Botërorin e Formulës 1, vëmendja e Ferrarit po përqendrohet në sezonin e ardhshëm.

Pasi Alonso pranoi më parë gjatë ditës se tashmë 2014-ta do të jetë “shansi për t’u rikthyer”, ekipi i “Maranello”-s informoi se do të nisë punën për përmirësimin e aerodinamikës më herët nga sa e kishte planifikuar, në muajin tetor.

Tuneli i erës do të jetë shumë i rëndësishëm për “kokëkuqen”, pasi aerodinamika është shfaqur edhe si “thembra e Akilit” në këtë sezon, ku Ferrarit ndonëse është ndër makinat më të shpejta, i mungon qëndrueshmëria në kthesa.

Në sezonin e ardhshëm, me një sërë ndryshimesh që do të ndodhin mbi të gjitha njëvendëshet për shkak të hyrjes së një rregulloreje të re në fuqi, pritet që aerodinamika të jetë më e rëndësishme se kurrë.

“Në drejtimit e Stefano Domenicalit, ekipi ka investuar shumë për të përmirësuar tunelin e erës. Në botën tonë, gjithçka lëviz me një shpejtësi të atillë sa që nuk të lë të marrësh frymë. Nga tetori do të nisim provat që do të zhvillohen në kushte shumë më të mira se më parë”, tha Simone Resta, shef i dizenjimit të Ferrarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA