Luzat, të ardhurat vetëm nga blegtoria

23/09/2013 00:00

300 banorët e Luzatit në Tepelenë janë duke kryer shërbimet e vjeshtës në kopshtet e tyre, e vetmja ekonomi bujqësore që mund t’i lejojnë vetes, pasi toka, sic thonë vetë banorët, është e vështirë të punohet për shkak të kostos së lartë.

Fshati  i vendosur në faqen e malit mbi rrugën nacionale Tepelenë –Gjirokastër jeton falë mbarështimit të 2000 krerëve bagëti të imëta dhe disa qindrave krerë gjedhi.

Zamira Boni thotë se shet cdo ditë në qytet qumështin që merr nga një lopë e vetme. Si ajo disa dhjetëra familje të tjera udhëtojnë cdo ditë drejt qytetit për të shitur qumësht e mish. Megjithatë fshati me rreth 70 familje ka filluar të gjallërohet nga ata, të cilet sapo janë kthyer nga emigracioni dhe madje po riparojnë shtëpitë që i braktisën vite më parë.

Një grup burrash thonë se për  fshatin blegtoria është e vetmja mënyrë jetese pasi pavarësisht bindjeve, politika e të dy krahëve i ka lënë në harresë.

Nga ana tjetër kryetari i fshatit mendon se banorët ja kanë dalë të jetojnë mirë falë punës dhe sakrificave të tyre, por ai pranon se toka po ngelet djerrë dhe se nuk dihet cfarë do të ndodhë me ata që do të vendosin të kthehen nga emigracioni.

7 vite pas tërmetit të qershorit  2006 që shkaterroi 32 banesa në këtë zonë Luzati është rindërtuar, por fshati me një mjedis natyror të rrallë malor , i rrethuar nga pyje dhe burime është shumë larg të qenit një destinacion ekoturistik.

Top Channel