Hillclimb Kruja 2013

23/09/2013 00:00

Kampionati i “Hillclimb” që u zhvillua për dy ditë me radhë në malet e Krujës, ka rezervuar një spektakël të vërtetë të makinave në disiplinën e kësaj kategorie garash.

Me pjesëmarrjen masive të dhjetëra pilotëve nga Kosova, në dy etapat e zhvilluara në një terren fantastik të krijuar nga natyra, janë përcaktuar dhe fituesit në disa kategori.

28 pilotë morën pjesë në “Kruja HilllClimb” që kulmoi në Sarisalltik, ndërsa dhjetëra tifozë dhe banorë të zonës, admiruan nga afër spektaklin e makinave në cirkuitin e gjatë 4.8 kilometra ndërsa në të gjithë podiumet dominuan me meritë, pilotët nga Kosova.

Kështu në disiplinën deri në 1200 kubikë, fitues u shpall Naser Farka me makinën e tij Zastava Jugo të modifikuar, ndërsa pas tij, Refki Jakupi dhe Sabir Emini.

Në disiplinën e 1400 kubikëve doli i pari Ymer Mariqi ndërsa në 1600 kubikë, regjistroi kohën më të mirë Valdet Kacandolli me makinën e tij Suzuki Suift.  Në 2 mijë kubikë u rendit i pari Shkëlzen Lajci i klubit sportiv të Prishtinës, ndërsa spikati mbi të gjithë Valdet Krasniqi me vendin e parë në kategorinë maksimale. Makina e tij Lancia Delta regjistroi kohën më të mirë në maloren e Sarisalltikut duke merituar dhe kupën simbolike.

Ndërkohë në rang ekipor, në vendin e parë doli Prishtina RT me 60 pikë, në vendin e dytë Autoklub Drini me 47 ndërsa i treti doli DDA Tirana me 34 pikë në total.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA