Liberalizimi i vizave, mision i paarritshëm edhe për 2014-n

22/09/2013 00:00

Zijadin Gashi – Mospërmbushja e kritereve të përcaktuara me udhërrëfyesin e Bashkimit Europian, mund ta lërë Kosovën pa u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave edhe gjatë vitit 2014, tërheqin vërejtjen deputetë dhe njohës të proceseve integruese europiane.

Po ashtu, për shkak të zgjedhjeve në institucionet e BE-së, Kosovës i sugjerohet të shpejtojë me përmbushjen e objektivave brenda këtij viti, në mënyrë që të kualifikohet për procesin e liberalizimit para se institucionet e BE-së të përfshihen në zgjedhje.

Në bazë të dinamikës dhe punës që është bërë në Kosovë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane, Lutfi Haziri, ka thënë për radion “Europa e Lirë” se nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv sa i përket përfshirjes së Kosovës në zonën e Shengenit gjatë vitit 2014.

“Ajo që unë po e shoh tash, është se ka shumë pak mundësi që Komisioni Europian vitin e ardhshëm t’i japë Kosovës impulse të tjera pozitive. Pritja ime më e madhe është që të përfundojnë negociatat dhe dialogu mbi liberalizimin e vizave të qartësohet. Mirëpo, me këso qeverisje vështirë që do të arrihet diçka”, ka thënë Haziri.

Se Kosova mund të përmbushë kriteret në një afat më të shpejtë dhe të zërë hapin e fundit drejt liberalizimit të vizave, me mjaft pesimizëm është shprehur edhe Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

E vetmja mënyrë që Kosova të kualifikohet për këtë proces, është përmbushja e objektivave të udhërrëfyesit deri në dhjetor, ka theksuar Doli në një prononcim për radion “Europa e Lirë”.

“Procesi i liberalizimit të vizave, marrë parasysh edhe zgjedhjet për Parlamentin Europian mund të zgjatet dhe do të mund të përfshijë kohën edhe për pjesën e dytë të vitit 2014. Kjo është një frikë reale dhe institucionet e Kosovës duhet të tregohen shumë më serioze që të përfundojnë të gjitha obligimet që kanë në kuptim të liberalizimit të vizave deri në dhjetor të këtij viti”, është shprehur Doli.

Gjatë takimit të fundit të Komitetit Drejtues për Liberalizim të Vizave, Kryeministri Hashim Thaçi u ka kërkuar më shumë angazhim ministrave në përmbushjen e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave, shumicën e kritereve tashmë i kemi zbatuar kështu që të mos lejojmë të vonohemi në këtë proces, mos të lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe mosangazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”, ka theksuar Thaçi.

Në anën tjetër, Dren Doli, i ka rikujtuar qeverisë dhe Kryeministrit të Kosovës se retorika e tyre nuk mjafton për përmbushjen e kritereve. Sipas tij, objektivat janë të qarta dhe se BE-ja kërkon hapa konkretë në rrafshin e sundimit të ligjit dhe luftimit të dukurive negative.

“Kosova është dashur që nga fillimi të tregohet më serioze dhe të përgatitet për sfidat që e presin në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Duhet të tregohet seriozitet maksimal që kriteret e mbetura, sidomos ato të përfshira në kreun mbi rendin dhe sigurinë publike dhe që lidhen kryesisht me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të përmbushen sa më parë”, ka thënë Doli.

Krahas ngecjeve në përmbushjen e kritereve dhe zgjedhjeve në institucionet e BE-së vitin e ardhshëm, këtë vit vlerësohet se kishte edhe dy zhvillime që mund të ndikojnë në shtyrjen e një vendimi pozitiv të Brukselit për përfshirjen e Kosovës në liberalizim.

Së pari, ishte rritja e migrimeve ilegale dhe numrit të azilkërkuesve nga Kosova për në vendet e BE-së dhe së dyti, rekomandimi i Parlamentit Europian që edhe për vendet e Ballkanit tashmë të përfshira në liberalizimin e vizave, mund të kthehet regjimi i mëparshëm nëse nuk i zbatojnë kriteret europiane.

Të gjitha këto zhvillime vlerësohet se i zvogëlojnë gjasat që qytetarët e Kosovës të kalojnë fazën e izolimit drejt qarkullimit të lirë nëpër vendet e Bashkimit Europian.  (Marrë nga evropaelire.org)

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA