Një rradhë teknologjish inovative të informacionit dhe
telekomunikacionit do të vendosen në funksion të turizmit dhe
trashëgimisë kulturore përgjatë vitit 2014 në Gjirokastër.
Projekti ndërkufitar shqiptaro-grek i mbështetur me fonde të BE, parashikon ngritjen e 7 pikave të internetit falas në të gjithë zonën historike të Gjirokastrës, si dhe realizimin e një guide turistike të hartëzuar online, e cila do të ketë akses edhe prej telefonit për turistët dhe vizitorët.
“Kjo është një paketë promocionale turistike për qytetin e Gjirokastrës.Eshtë inventarizim i të gjithë objekteve dhe dokumentacionit turistik, historik, arkitekturor dhe i monumenteve të kulturës që ka Gjirokastra.
Do të kemi gati 11 pika falas interneti në zonën muzeale të qytetit dhe ajo që është me e rëndësishmja do të jenë guidat turistike të dixhitalizuara në 40 celularë, që do të përdoren nga zyra e informimit turistik për të rritur perfomancën turistike të qytetit të Gjirokastrës”, thotë Odise Kote, shef i Kabinetit te Bashkise.
Ndërkaq iniciativa shqiptaro –greke e përdorimit të teknologjisë më bashkëkohore të informacionit do të vijojë më tej gjatë vitit 2014 me versionin elektronik për 70 mijë tituj librash të bibliotekës lokale. Procesi do të lehtësojë edhe aksesin për lexuesin në 4 gjuhë të ndryshme.
Top Channel