Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa duke e vënë theksin tek situata e rënduar e një pjese të mediave në raport me pagesat ndaj gazetarëve është ndalur edhe në një tjetër pikë që cënon, sipas tij, këtë raport.
Zoti Çipa tha se një problem madhor mbetet mospagesa nga ana e disa institucioneve mediatike të kontributeve të detyrueshme shoqërore për të punësuarit e tyre. E për të pasqyruar këtë kreu i Unionit të Gazetarëve ka treguar një dokument të marrë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
“Në këtë tabelë janë vetëm të derdhura kontributet për muajin prill dhe muajin tetor dhe për vitin 2010. Për vitin 2011 dhe 2012 nuk ka asnjë pagesë kontribut të derdhur për llogari të gazetarit që është i punësuar dhe ka qenë në një ent mediatik të rëndësishëm. Për ne ky është një skandal që kërkojmë për ta hetuar jo vetëm çdo gazetar i Republikës së Shqipërisë për llogari të vetes dhe për llogari të së ardhmes së vet, por edhe të institucioneve respektive sepse ne kemi drojë që ky mund të jetë një fenomen me përmasa masive në gjithë skenën mediatike të vendit”, deklaroi zoti Çipa.
Zoti Çipa paralajmëroi edhe një tjetër nismë të Unionit të Gazetarëve.
“Prandaj për këtë arsye, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë javën e ardhshme do të publikojë me një pjesëmarrje masive gazetarësh një memorandum kërkesash për sipërmarrjen e përbashkët mes Unionit të Gazetarëve, komunitetit të pronarëve dhe administratorëve të mediat dhe përfaqësuesve të lartë institucionalë të vendit për të vlerësuar këtë krizë që ka prekur në mënyrën më të rëndë gjithë skenën mediatike, komunitetit e gazetarëve dhe gjithë stafet mediatike të vendit”, tha kreu i Unionit të Gazetarëve.
Top Channel