Andrea Stefani – Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së, mund të bëhet e
begatë, mund të ketë administratë të aftë dhe shërbime cilësore për
qytetarët, mund të vazhdojë rolin konstruktiv në rajon, mund të
përparojë, mund, mund, mund!
Një listë e tërë mundësish shpaloseshin për Shqipërinë në editorialin me bashkautorë ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në Tiranë. Shumë mundësira, por në fakt, asgjë e re nga ato që janë thënë dhe stërthënë që në nisje të tranzicionit dhe që megjithatë kanë mbetur, edhe pas më shumë se dy dekadave, vetëm mundësi, vetëm shpresa. Padyshim vullneti i mirë i ambasadorëve, por gjithsesi, asgjë më shumë se një emulacion, një nxitje, madje edhe si një dhënie kurajoje një të sëmuri që nuk ka besim se shërohet. Ti mundesh, mundesh – e nxisin. Por a mundet vërtet Shqipëria të ngrihet nga shtrati i krizave ku dergjet prej 23 vjetësh?
***
Nuk është më koha të përkëdhelin mundësitë, por duhet të llogarisim probabilitetet e mundësive. Mundësitë kanë 23 vjet që janë aty, por ato nuk kthehen në realitet nëse nuk llogarisim pengesat dhe kapërcimin e tyre. Sepse është një fjalë goje të thuash që “dialogu konstruktiv dhe bashkëpunimi duhet të bëhen tipare të rrënjosura të peizazhit politik të Shqipërisë”. Dhe kjo është pa fjalë një mundësi. Por puna është të dish dhe të thuash se si bëhet realitet kjo mundësi, si bëhet realitet bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv. Dialogu dhe bashkëpunimi janë simbioza, dukuri dypalëshe. Ato janë të pamundura kur njëra palë kërkon me insistim sherrin. Ato janë të pamundura nëse palët nuk ndajnë interesa, qëllime dhe, të paktën, disa vlera themelore bazë. Dhe pengesa kryesore për konsensusin (bashkëpëlqimin) është se palët, pavarësisht trukimeve, nuk bashkohen në vlerat e demokracisë, në parimet e ndarjes së pushteteve, tolerancën, lirinë e gjithfarshme, shtetin ligjor. Në një masë ose në një tjetër, të gjitha qeveritë kanë tentuar në një masë ose tjetër, e thënë butë, dominimin në shtet, duke cenuar balancat e këtij të fundit e bashkë me to, edhe liritë e të drejtat e qytetarëve. Edhe kur kanë qenë në opozitë, forcat politike kanë përdorur slogane kundër një pushteti me prirje autokrate vetëm për të bërë aleatë perëndimorë, për të shfrytëzuar erën e “demokracisë” në modë, me qëllim marrjen e pushtetit, por që më pas, t’u riktheheshin të njëjtave praktika të urryera sundimi. Mbi 23 vjet rotacione hileqare me demokracinë në gojë por me autokratizmin në kokë, 23 vjet me pandëshkueshmëri të korrupsionit qeveritar, kanë krijuar klasën e të fuqishmëve të interesuarve për pandëshkueshmërinë. Në të dy kampet. Dhe mjerisht, këto duken të vetmet premisa të një bashkëpëlqimi binar që padyshim shkon përkundër nevojës për luftë kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Por të supozojmë se qeveria “Rama” do jetë e disponuar për luftë reale kundër korrupsionit dhe se klane të korrupsionit në kampin e majtë nuk do ta krasitin dot vullnetin e qeverisë. A do të ketë në kampin e opozitës vullnet, qoftë edhe një fraksion, të gatshëm për të luftuar krimin dhe korrupsionin? A do të ketë në kampin e djathtë elementë që ndajnë me qeverinë e majtë bindjen se pa luftuar korrupsionin, integrimi në BE nuk është i mundur? Një mundësi e tillë nuk duket kurrkund. Si një trup i vetëm rreth kryeministrit të larguar me votë, opozita mezi ç’pret të gjejë një pretekst për të fërkuar brirët me qeverinë, mezi ç’pret të denoncojë çdo tentativë për të ndëshkuar korrupsionin e saj, si revansh politik. Dhe nëse vendi futet përsëri në spiralen e luftës politike, vështirë se korrupsioni do të mund të luftohet dhe atëherë edhe Shqipëria nuk do të mundë.
***
Ka një të vërtetë lakuriqe që e shohin dhe e thonë të gjithë: Shqipërisë i mungojnë institucione të zbatimit të ligjit me integritet profesional dhe një sistem gjyqësor që të gëzojë famën e pavarësisë dhe dhënies së drejtësisë. Prokurorë e gjykatës, duke flirtuar me politikën, qeveritë e deri edhe me krimin, kanë krijuar reputacionin e një sistemi drejtësie që vetëm drejtësi nuk jep. Rasti më i fundit, por edhe më alarmant, ishte ai i dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit të gardistëve që vranë protestues më 21 janar! Me këtë pushtet “drejtësie” vrasësi del i pafajshëm dhe është i korruptuari ai që mund. Me këtë sistem “drejtësie”, edhe më i inkriminuari politikan mund të ulërasë besueshëm se po persekutohet politikisht, duke bërë që demokracia të bëhet aleat i së keqes dhe jo i së drejtës. Sepse bëhet i besueshëm për turmat e fanatikëve mendja e të cilëve nuk depërton përtej fjalës së liderit që bie mes tyre dhe faktit si një perde e hekurt. Dhe atëherë konflikti dhe jo bashkëpunimi do të jetë i mundur. Ç’duhet bërë që ky skenar aspak i panjohur madje kronik të mos përsëritet? Kërkohet që të rilindë pushteti i drejtësisë. Që bashkë me të, të rilindë edhe shteti ligjor. Si shpresë dhe si realitet. Por kjo nuk është e mundur me një klasë juristësh dhe gjykatësish përgjithësisht të korruptuar. Dhe në këtë rrafsh janë ndërkombëtarët që mund të ndihmojnë e mbështesin që më në fund edhe Shqipëria të mundë. Që konsensusi të bëhet dukuri rrënjësore e peizazhit politik, duhet që drejtësia të spastrojë radhët e politikës, në të dy kampet, nga të inkriminuarit e interesuar për mosvendosjen e drejtësisë. Por më parë drejtësia duhet të spastrojë vetveten. Dhe që reforma në drejtësi të mos paragjykohet politikisht si spastrim i gjykatave nga pushteti, gjithçka duhet bërë me mbështetjen dhe monitorimin e afërt të ndërkombëtarëve. Ideja e një EULEX-i për gjyqësorin shqiptar nuk na tingëllon e ekzagjeruar. Ndërkaq ka pak shpresë se superskandale si “Gërdeci” apo masakra si “21 janari”, mund të zbardhen pa përfshirë në hetimin dhe gjykimin e tyre edhe prokurorë e gjykatës nga radhët e ndërkombëtarëve. Jo vetëm territori por edhe drejtësia është në emergjencë. Madje territori është në emergjencë se nuk zbatohet ligji. Ndaj ndërkombëtarët duhet të angazhohen konkretisht (jo thjesht me ekspertizë për kompilime ligjesh që mbeten në letër), me projekte për luftën kundër krimit dhe korrupsionit në mënyrë që drejtësia të mundë. Dhe bashkë me drejtësinë do vijnë edhe konsensusi politik, edhe administrata e qëndrueshme e mbrojtur nga ligji, edhe shërbimet cilësore për qytetarët. Me drejtësinë vjen edhe liria dhe shumë të tjera “mund” për shqiptarët dhe Shqipërinë. Por pa drejtësinë Shqipëria nuk do të mundë. Si këtu e 23 vjet.
Top Channel